Ka mjaftuar një gol i brazilianit Danilo Alves, që Flamurtari të marrë 3 pikët e plota në sfidën ndaj Tiranës, ndërsa “profesor” Daja i ka kujtuar “nxënësit” të tij, Memës, se nuk është aspak e lehtë të jesh trajner i parë.
Nis kështu me një humbje aventura e Ardian Memës në pankinën e Tiranës, me teknikun e bardhebluve që ishte ndihmës i Ilir Dajës deri para 10 ditëve dhe u largua që andej për të zëvendësuar braziliani Ze Maria.
Që në fillim të sfidës u kuptua qartë që dy trajnerët e njihnim mirë njëri-tjetrin dhe kjo dukej nga rreshtimi mjaft i kujdesshëm i skuadrave në fushën e lojës, me Flamurtarin që kishte më shumë iniciativë, nxitur edhe nga mbështetja e tifozërisë.
Sfida u zhbllokua vetëm në minutën e 72-të, kur braziliani Danilo Alves mori një top vertikal dhe pasi shmangu daljen e portierit të Tiranës, gjuajti duke dërguar topin në rrjetë dhe duke vendosur fatet e takimit.
Menjëherë pas golit, Mema reagoi duke ndryshuar skuadrën në fushë dhe Tirana u përpoq disa herë që t’i afrohet golit të barazimit, por nuk kishte fuqinë e duhur për të ndëshkuar portierin Koliçi, kjo për shkak edhe të rreshtimit të mirë të mbrojtjes vlonjate.
Me këtë sfidë mbyllet përfundimisht edhe faza e parë e kampionatin shqiptar, që sheh Partizanin në krye me 22 pikë dhe Skënderbeun ndjekës me 20 pikë, ndërsa Flamurtari shkon në vendin e 5-të me 14 pikë e Tirana mbetet në vendin e 7 me 8 pikë.