Goli në derbin e Madoninës do të mbetet gjatë në memorien e sulmuesit dhe kapitenit të Interit, Mauro Icardi. Bomberi argjentinas shënoi në limitet e kohës së rregullt në një ndeshje të çmendur, duke i dhënë fitoren skuadrës zikaltër dhe për të pushtuar më pas faqet e para të gazetave botërore. Por ku dhe si nisi karriera e tij.
Mauro Icardi mbërriti në Barcelonë në vitin 2008, për t'u larguar tre vite më vonë për shkak të ndryshimeve midis stilit të tij të futbollit dhe mentalitetit të blaugranëve.
Në vitin 2001, kriza ekonomike e Argjentinës e detyroi familjen e tij të emigrojë në Spanjë dhe të vendoset në Ishujt Kanarie. Sulmuesi i Interit e nisi karrierën e tij në Union Deportiva Vecindario, para se të nënshkruante me katalanasit.
Ai arriti në akademinë "La Masia" në moshën 15 vjeçare, por jo gjithçka shkoi ashtu siç do të kishte ëndërruar një fëmijë i moshës së tij.
"Ishte shumë ndryshe nga karakteristikat e mia dhe kemi zgjedhur një ndryshim në futbollin italian, i cili është ai që më përshtatet më shumë ", tha argjentinasi.
Për këtë çështje ka folur edhe ish-agjenti i tij Abian Morano, i cili tregoi arsyet e largimit.
"Largimi nga Barcelona ndryshoi jetën e Icardit", tha ai për "Toda Pasion". "Ky hap drejt futbollit italian ishte vendimtar dhe unë jam i bindur se pa këtë vendim sot nuk do të ishte një futbollist profesionist. Sistemi i Barcelonës u ndryshua, pasi sulmuesit dolën në sfond. Në ekipin e parë, Samuel Eto'o u spostua në krah, ashtu siç edhe David Villa dhe madje edhe Zlatan Ibrahimovic kaloi pothuajse një vit në stol. Icardi është një sulmues i pastër."përfundoi Morano.
Një dekadë pas largimit nga Barcelona, Icardi do të shkelë sërish barin e "Camp Nou" për t'u përballur me ish-ekipin e tij.