Jose Mourinho i ka lartësuar dy qendërmbrojtësit italianë të Juventusit, Giorgio Chiellinin dhe Leonardo Bonuccin, duke sugjeruar se ata janë aq të zotë saqë duhet t’u japin leksion mbrojtësve të tjerë sesi duhet të luash në qendër të mbrojtjes.
Mourinho i bëri këto komente të martën mbrëma në një konferencë për media pas humbjes së skuadrës së tij Manchester Unitedit 1-0 ndaj Juventusit në Ligën e Kampionëve në “Old Trafford”, që nënkupton se gjiganti italian nuk e ka pësuar asnjë gol në tri ndeshjet e para në fazën grupore në këtë garë, falë paraqitjeve kryevepër të dyshes së mbrojtjes.
Ky rezultat e lë Man Unitedin me pesë pikë prapa liderit Juventus në Grupin H, para ndeshjes së kthimit në Torino muajin e ardhshëm dhe dy pikë para Valencias, të cilën Mourinho e përshkroi si rival të ekipit të tij për pozitën e dytë.
“Luajtëm kundër njërit prej kandidatëve kryesorë për ta fituar Ligën e Kampionëve dhe bëmë gjithçka që mundem”, tha Mourinho.
“Kemi mundur të korrnim rezultat tjetër, veçanërisht për shkak të mënyrës sesi luajtëm në pjesën e dytë. Por, nuk e morëm për shkak të zoti Leonardo Bonuccit dhe zoti Giorgio Chiellinit, të cilët mund të shkojnë në Universitetin e Harvardit për të mbajtur ligjëratat sesi duhet të jetë një qendërmbrojtës. Ishin absolutisht fantastikë”, shtoi ai.