Mesfushori i Arsenal Mesut Ozili e ka përjetuar keq ndarjen e parakohshme nga jeta të fansit 12-vjeçar Charlie Middleton. Futbollisti gjermano-turk i kishte ndenjur afër fëmijës në këto momente të vështira të tij, ndërsa po kryente kimioterapinë, ndërkohë që ai gjithashtu e kishte ftuar edhe në takimet që “topçinjtë” kishin luajtur në stadiumin “Emirates”.
Djaloshi ishte prekur nga kanceri në tru dhe shtyllën kurrizore. Pasi ai fillimisht arriti ta mposhte sëmundjen, tumori u kthye dhe gjithçka u bë mjaft e vështirë. Ozil shpesh herë e merrte atë që të takonte edhe shokët e skuadrës. Ai postoi në profilin e tij në Instagram, 3 fotografi bashkë me Charlie-n.
“Një lajm kaq i trisht që të dëgjoj që shoku im dhe fansi i madh i Arsenalit Charlie është ndarë nga jeta pas betejës së tij të gjatë me kancerin. Prehu në paqe! Do të na mungosh shumë të gjithëve”, ishte mesazhi i lojtarit.