United rrezikon që të gjobitet nga UEFA dhe kjo jo për shkak se për herë të dytë u vonua për të shkuar në stadium, por sepse pati dy raste gjatë dhe pas takimit të djeshëm ndaj Juves të humbur 0-1, ku u futën në fushë 3 persona duke thyer rregullat e sigurisë.
Vetëm pak minuta pasi kishte nisur sfida, një person u fut në fushë dhe vrapoi drejt lojtarëve të të dyja ekipeve me duart e vendosura në xhepat e pasëm të pantallonave. Pak metra para futbollistëve ai u ndalua nga punonjësit e sigurisë.
Ndërsa në fund të takimit, dy persona të tjerë arritën që të thyenin sigurinë dhe të shkonin te Cristiano Ronaldo, ku i kërkuan portugezit që të bënin një foto me të.
Ishte hera e dytë që CR7 rikthehej në “Old Trafford”, stadiumin dhe klubin ku ai u bë i njohur që nga largimi në 2009. Zyrtarët e klubit janë në pritje të vendimit, ndërkohë që një tjetër shqetësim është një gjobë e dytë për vonesën e radhës në stadium. Për këtë pritet reagimi i UEFA-s.