Të paktë ishin ata tifozë të Interit, që prisnin një sukses në “Camp Nou” këtë mesjavë në Champions League, e verdikti i fushës nuk ishte surprizë për shumicën e mbështetësve.
Por, edhe pse klasifikimi i grupit B është gjithsesi në favor të zikaltërve, sfida në vitrinën kontinentale ekspozoi limitet e formacionit të trajnerit Spalletti.
Ky i fundit po akuzohet se gaboi në disa zgjedhje fillestare. Borja Valero dhe Candreva nuk bindën, por mbi të gjitha, Interi u tregua inferior që në fillim ndaj një skuadre shumë të fortë, por që kishte treguar se nuk ishte në formë optimale së fundmi.
Tottenham dhe PSV Eindhoven kishin bërë tifozët të harronin se, shumica e lojtarëve zikaltër janë debutues në Champions. Hapi fals në “Camp Nou” ndaj Barcelonës duhet arkivuar si diçka e paevitueshme. Por, kush ka ambicien të mbushë hendekun me dominuesit e futbollit europian, duhet të bëjë më shumë tek Interi.
Prova e ardhshme në “San Siro”, më 6 nëntor, do të vendosë shumë mbi skuadrën milaneze. Aktualisht zikaltrit janë 5 pikë mbi vendin e tretë dhe në pozicion të favorshëm, por nëse humbasin edhe ndeshjen e kthimit ndaj Barcelonës, kualifikimi do të ishte më shumë sesa në rrezik.