Wayne Rooney dhe Cristiano Ronaldo kishin partneritet të shkëlqyer në Manchester United dhe tani sulmuesi i Juventusit ka treguar se si e quante ish-bashkëlojtarin e tij, një nofkë që i shkon përshtati anglezit.
Aq i madh ishte ndikimi i Ronaldos gjatë kohës së tij në “Old Trafford” saqë disa tifozë vërtet shpresonin se portugezi do të shënonte në rikthimin e tij për t’u përballur me ish-klubin në Ligën e Kampionëve para dy javëve.
Juventusi fitoi këtë ndeshje por pesë herë fituesi i Topit të Artë nuk shënoi gol, pasi goli i vetëm i realizuar nga Paulo Dybala qe i mjaftueshëm për triumfin e “Zonjës së vjetër”.
Këtë javë, Ronaldo do të luajë përsëri ndaj ish-klubit në Ligën e Kampionëve, por në “Allianz Stadium” kësaj radhe, me Unitedin që shpreson në fitore.
Ronaldo ka zbuluar se e thërriste “pit bull” Rooneyn gjatë kohës së tyre në United.
“Për mua, pika më e fortë e Wayne Rooneyt është mendësia dhe fuqia e tij. Ai nuk ndalon asnjëherë, ai gjithmonë vrapon, i ndihmon skuadrës. Ai është lojtar fantastik për skuadrën dhe shënon shumë gola. Ai shënon gola të rëndësishme, ai është fantastik”, ka thënë Ronaldo.
“Ai ishte fëmija i Anglisë. Të gjithë e donin atë. Ai është një djalosh fantastik dhe një futbollist i mrekullueshëm. Unë dhe shokët e mi e thërrisnim atë ‘Pit Bull’. E mbaj mend se kur e humbiste topin, ai ishte shumë i fuqishëm”.
“Ai e gjuan topin në mënyrë të pabesueshme. I ka shënuar shumë gola, çfarë mund të them? Më mungon të luaj me të. Askush nuk e di të ardhmen. Ndoshta ne do të luajmë përsëri së bashku ndonjë ditë”.