Eintracht Frankfurt dhe Lazio mbyllën llogaritë në grupin H të Europa League duke u kualifikuar edhe matematikisht në fazën tjetër. Bardhekaltrit e Simone Inzaghit morën një tjetër fitore ndaj Olympique Marseille duke thelluar krizën e skuadrës së Rudi Garcias që ndryshe nga sezonin e kaluar ku shkoi deri në finale këtë herë u eliminua që në fazën e grupeve.
Golat e Parolos dhe Immobiles bënë të pavlefshëm edhe finalizimin e Thauvin për miqtë, por një meritë të padiskutueshme për kualifikimin e kryeqytetasve e kishte Thomas Strakosha që rezultoi deçiziv me pritjet e tij, bashkë me kuqeziun në fushë ishin dhe dy lojtarët me origjinë shqiptare Valon Berisha dhe Riza Durmisi. Lazio do të diskutojë me Frankfurtin në sfidën direkte vendin e parë në grup pasi gjermanët vazhduan ecurinë e shkëlqyer.
Falë suksesit 2-3 në Nicosia ndaj Apollon Limasol, Frankfurti kryeson me pikë të plota grupin, pas 4 ndeshjeve të para. U kualfikua zyrtarisht në raundin tjetër edhe Chelsea që në Borisov Arena fitoi 0-1 ndaj Bates me një gol të Olivier Giruod. 12 pikë për Chelsea-in në grupin L që ndiqet nga hungarezët e Mol Vidit me 6 pikë të cilët mposhtën për herë të dytë në 2 javë Paokun e Selanikut këtë herë me rezultatin e ngushtë 1-0. Në grupin K me një këmbë në fazën tjetër është edhe Dinamo e Kievit që fitoi me shifrat 3-1 ndaj Rennes.
2 barazime 1-1 në grupin në sfidat Genk-Besiktas dhe Malmo-Sarpsborg që lanë gjithçka të hapur përsa i përket skuadrave që do të kualifikohen për dy ndeshjet e fundit.Fitore me përmbysje me shifrat 4-3 për Spartakun e Moskës në grupin G ndaj skocezëve të Rangers. Eros Grezda u aktivizua vetëm në minutën e 82-të nga trajneri i Rangers, Steven Gerard.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi Villareali u ndal në një barazim pa gola nga Rapid i Vienës në Austri. Në grupin J ndërkohë hodhën një hap të rëndësishëm drejt kualfikimit Sevilla dhe Krasnodar falë fitoreve respektivisht ndaj Akhisar në transfertë me shifrat 3-2 nga spanjollët dhe Standartit të Liezhit në shtëpi me shifrat 2-1 nga rusët.