Spanja kërkon të krijojë një bashkëpunim me Portugalinë dhe Marokun për të pritur Kupën e Botës 2030, deklaroi sot kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez.
Gjatë një fjalimi në kryeqytetin e Marokut, Rabat, Sanchez tha: “I kam bërë një propozim për një kandidaturë të përbashkët mes Spanjës, Marokut dhe Portugalisë, fillimisht qeverisë (së Marokut) dhe më pas mbretit Mohamed VI”.
Gazeta spanjolle “El Pais” tha se, “kryeministri maroken, Saadedin Al Othmani dhe mbreti e mirëpritën këtë ide, që do të ishte Kupa e Botës e parë që luhej në dy kontinente”.
Spanja ka pritur Kupën e Botës në 1982. Mes fituesve europianë të këtij turneu vetëm Spanja dhe Anglia kanë pritur Kupën e Botës vetëm një herë. Italia, Gjermania dhe Franca kanë qenë dy herë organizatore të eventit më të madh të futbollit në botë.