Humbja e thellë 4-0 e pësuar ndaj Skocisë në “Loro Boriçi” të Shkodrës ka rritur presionin mbi trajnerin Panucci, që po përballet me mundësinë e shkarkimit të tij nga kombëtarja shqiptare.
Ai që i del në mbrojtje teknikut italian të kuqezinjve është bashkëkombësi e njëkohësisht paraardhësi i tij në pankinën shqiptare, Gianni De Biasi.
“Ishte situatë e vështirë për trajnerin, pasi skuadra ishte në inferioritet numerik ndaj një kundërshtari që vraponte shumë. Nuk ishte aspak e lehtë, pasi mungonin disa lojtarë, Roshi, Sadiku dhe tani Hysaj. Ekipi nuk ishte i plotë dhe hasi në shumë vështirësi ndaj një skuadre të fortë. Unë dal në mbrojtje të trajnerit, pasi bën gjithçka mundet me futbollistët që ka në dispozicion”, deklaroi ish trajneri i kuqezinjve.
De Biasi foli edhe për mbarëvajtjen e ndeshjes, duke theksuar se goli i pësuar në fillim dhe kartoni i kuq i Mavrajt patën një impakt të fortë te vijimi i lojës nga skuadra kuqezi.
“Nuk ka shumë për të thënë. për fat të keq pësuam gol që në fillim më pas luajtëm gjatë gjithë ndeshjes me 10 futbollistë. Skocia është një skuadër e fortë, me lojtarë cilësorë në përbërje dhe që ishin në gjendje shumë të mirë fizike. Ishte një ndeshje shumë më e vështirë nga sa e imagjinoja”, pranoi De Biasi.