Armando Sadiku nuk ishte i pranishëm në Kombëtare për shkak dëmtimi në ndeshjet e nëntorit, por tregon vuajtjet që ka përjetuar duke parë këtë moment të vështirë të ekipit tonë përfaqësues.
Në një intervistë për Supersport sulmuesi kuqezi shprehet: “Kam rreth tre muaj që po bëj fizioterapi, po përmirësoj gjendjen dhe në dhjetor do filloj të punoj me topin, që të jem gati për ekipin. Ndaj Skocisë nuk isha në fushë, por edhe po të isha aty mendoj se do të ishte një nga ndeshjet më të dobëta në karrierën time. Jam përlotur duke e parë, që gjithë atë që kemi ndërtuar në këto vite, të pësosh një humbje të tillë”.
Më tej autori i golit të vetëm të Shqipërisë në një Europian shton: “Kam rregullisht kontakte me të gjithë ekipin, me lojtarët më të vjetër, që kemi qenë gjithmonë në Kombëtare. Pas ndeshjes me Skocisë, vetëm i kam ngushëlluar. I kam dërguar një mesazh, ku i shkruaja: Mos u mërzisni, kohë më të mira do të vijnë. Duhet të jemi gjithmonë pozitivë. Gjërat duhen marrë me qetësi dhe nuk duhet drejtuar gishti vetëm nga trajneri. Nuk është fundi i botës që nuk u kualifikuam në Ligën e Kombeve. Nuk i bëjmë mirë askujt vetëm duke akuzuar”.
Sa për zgjidhjen e kësaj situate Sadiku thotë: “Në këto momente, i gjithë ekipi duhet të mblidhet më tepër se kurrë. Të flasë për shumë orë dhe të zgjidhë problemet. Kështu bëmë para ndeshjes me Izraelin, ku më pas arritëm të fitonim 3-0 vitin e kaluar. Kjo do të ishte mënyra më e mirë. Do ti kërkoja lojtarëve më të rinj që të japin 120 për qind nga vetja e tyre, ashtu si kemi bërë të gjithë kur kemi veshur atë fanellë. Kjo është mënyra e vetme për të ecur përpara”.