Fernando Alonso ka dhënë konferencën e fundit si pilot i Formula 1. Mes emocioneve të lamtumirës, spanjolli pohoi se gjatë karrierës 17 vjeçare, kundërshtari më i vështirë ka qënë pikërisht ai, 7 herë kampioni i Botës, Michael Schumacher.
"Nëse unë kam për të zgjedhur kundërshtarin më të fortë, ai është Michael Schumacher, sepse kur unë u futa në F1 ai e dominonte këtë sport. E pashë atë gjithmonë duke fituar dhe papritmas po luftoja me të për titull. Ishte një gjë shumë emocionuese. Tani jemi më të përgatitur, pasi ka programe, stimulatorë dhe jemi një brez më i talentuar, por ishte një udhëtim i mrekullueshëm dhe do ta zgjedhja për arsye emocionale, jo teknike."-tha ai.
Por çfarë do të mbaj mend Alonso nga kjo karrierë?
"Gjëja më e mirë që më ka ndodhur këtu janë njerëzit me të cilët kam punuar, me të cilët kam ndarë gjysmën e jetës sime në 17 vjet. Shumë inxhinierë, dizajner, mekanikë, gazetarë, me të cilët ndaja shumë orë me ta. Kjo është ajo që unë gjithmonë do të kujtoj nga F1. Disiplina dhe përgatitja në çdo ekip është diçka që shihni edhe në kategori të tjera, por jo në një nivel aq të lartë dhe të përsosur sa këtu."-përfundoi piloti i McLaren.