Kamer Qaka po kalon një moment mjaft të mirë në kampionatin rumun, aty ku aktivizohet me Poli Iashin. Titullar në çdo takim dhe minuta të shumta, Qaka është kthyer në një nga futbollistët më të rëndësishëm të Iashit dhe kjo formë që po kalon, ka rënë në sytë e disa klubeve.
Këtë gjë e ka pranuar vetë presidenti i Politeknika Iashit që në një intervistë për “ProSport”, ka pranuar se në drejtim të tij, ka pasur disa oferta nga klube të rëndësishme. Kujtojmë që Qaka e nisi sezonin te Steaua e Bukureshtit, por presidenti Bekali ishte i pakënaqur me të dhe vendosi ta largonte sërish.
“Nuk ka ardhur ende një ofertë konkrete dhe zyrtare në klubin tonë, por unë mund të them se çdo futbollist mund të shitet në çdo kohë. Ka pasur disa interesime për Qakën, Flores dhe Pantiru. Nuk mund t’i bëj me dije emrat e skuadrave, por mund të them se janë klube të rëndësishme”, u shpreh presidenti Adrian Ambrosie.
Megjithëse Qaka po luan rregullisht në kampionatin rumun, Kristian Panuçi nuk po e grumbullon në Kombëtare dhe hera e fundit që ai ka luajtur me Shqipërinë, ishin takimet miqësore ndaj Kosovës dhe Ukrainës, por në këtë të fundit ai nuk u aktivizua.