Jose Mourinho i thotë gjërat hapur dhe thuajse çdo intervistë apo konferencë e tij për shtyp prodhon tituj të bujshëm dhe polemika, duke e bëtë trajnerin portugez të adhuruar nga gazetarët.
Tani Jose përfundon sërish në qendër të vëmendjes, sepse në një intervistë dhënë për Univision ka sulmuar ashpër 4 lojtarë të Manchester United, Luke Shaw, Anthony Martial, Jesse Lingard e Marcus Rashford, duke i cilësuar “pa karakter e personalitet”.
Portugezi është ankuar shpesh këtë sezon për sjelljen e lojtarëve të tij, por kurrë nuk kishte lëshuar deklarata kaq të forta, duke veçuar lojtarë që konsiderohen talente të mëdhenj dhe e ardhmja e Djajve të Kuq.
“Atyre u mungon pjekuria dhe kur them pjekuri, e kam fjalën për pjekuri në nivel personal. Ne kemi pasur më shumë burra, ishim më të pjekur, më të përgatitur për jetën, më pak të mbrojtur nga dallgët.
“Tani kemi fëmijë të llastuar, fëmijët e sotëm kanë një jetë ndryshe, një ambient më të lehtë dhe e kam fjalën për njerëzit që rrethojnë lojtarët. Këta njerëz u japin shumë dashuri dhe jashtëzakonisht shumë justifikime. Njerëzit piqen shumë më ngadalë tani.
“Luke Shaw, ai ka potencial të madh, por nuk di si të sillet. Potencial të madh, po, por vetëm kaq.
Po flasim për Luke Shaw, Martial, Lingard, Rashford – të rinj, me potencial të jashtëzakonshëm, por në fund të ditës atyre u mungon një fjalë që nuk mund ta them, por që ju e përdorni shpesh… karakter, personalitet, këto u mungojnë paksa”.
United e ka nisur mjaft keq sezonin e ri, si asnjëherë që prej sezonit 1989-90, ndërsa në këtë moment është në vendin e tetë në Premier Ligë, 12 pikë larg Manchester City-t kryesues. Disa javë më parë në qendër të vëmendjes ishte konflikti Mourinho-Pogba, me trajnerin që i hoqi gradën e zëvendëskapitenit mesfushorit francez.