Flamurtari fitoi 1-0 me Partizanin në ndeshjen e cila ngriti siparin e javës së 14 në Kategorinë Superiore.
Një 90-minutësh që riktheu vlonjatët në një pozicion të mirë në renditje. Skuadra bregdetare iu fal një rrjete të hershme në sfidën e zhvilluar në shtëpi dhe kaq mjaftoi për të kaluar kryesuesit e kampionatit.
Në ndeshjen e parë që zhvilloi me Flamurtarin pas problemeve burokratike që lindën nga transferimi i kësaj vere, braziliani Kale u tregua vendimtar. Numri 7 i vendasve shpiku asistin që u konvertua në një gol të bukur me kokë nga Bushiç. Trashi dhe Telushi tentuan të rikthejnë barazpeshën, por fraksioni i parë u mbyll me avantazhin e vlonjatëve.
Edhe në rinisjen e sfidës pati raste nga të dyja skuadrat, por asnjë nuk mundi të shënonte. Skuadra mike rifreskoi sulmin, por nuk ishte konkrete përballë portës së Koliçit, edhe kur prapavija e vlonjatëve lëshoi më shumë seç duhet.
Fitorja e fundit e Flamurtarit ndaj Partizanit në kampionat, në janar të këtij viti, si për ironi ishte 1-0 nga një gol i Bushiç. Tani bregdetarët reduktojnë në 9 pikë diferencën me kreun që mbahet përkohësisht nga Demat e Kuq.