“Do të jetë një ndeshje argëtuese”. Këto kanë qenë fjalët e thëna nga trajneri i Real Madrid, Santiago Solari, në prag të ndeshjes së kampionatit kundër Eibar. E tillë ka qenë, por për kundërshtarin.
Eibar, në fakt, ka marrë një fitore befasuese 3-0 kundër “Los Blancos” në shtëpi, në javën e 13-të të kampionatit spanjoll. Kjo ka qenë edhe humbja e parë për trajnerin argjentinas të madrilenëve, i cili e kishte udhëhequr ekipin drejt katër fitoreve radhazi pasi mori vendin e Lopetegui-t në fundin e muajit të kaluar. Një ecuri kjo që i ka siguruar ish-lojtarit të Real edhe nënshkrimin e një kontrate për tre vitet e ardhshme.
Ka qenë Real që ka shënuar golin e parë me Bale, por që është anuluar për pozicion jashtë loje nga anësori. Karim Benzema ka shkuar shumë afër golit pesë minuta më vonë, duke mposhtur portierin, por topi është larguar në momentin e fundit nga një prej mbrojtësve të Eibar.
Në minutën e 16-të ka ardhur goli i vendasve, që është quajtur i vlefshëm pas ndërhyrjes së VAR. Shpërbërja e kampionëve të Europës në fuqi ka ardhur në harkun e pesë minutave në pjesën e dytë. Enrich ka dyfishuar avantazhin e vendasve në të 52-ën, teksa Kike ka realizuar të tretin në të 57-ën.
Ka qenë një fitore plotësisht e merituar për Eibar dhe një paraqitje që ka lënë shumë për të dëshiruar nga ana e Real Madrid. Për më tepër, lojtarët e Solari-t kanë humbur rastin për të shkuar përkohësisht në vendin e dytë të renditjes dhe mbetet në pozicionin e gjashtë me 20 pikë, vetëm dy më shumë se Eibar-i i vendit të shtatë.