Luka Modrici i dha fund dominimit 10-vjeçar të Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos për Topin e Artë, megjithatë triumfi i tij mbeti nën hijen e komentit seksist që bëri prezantuesi në këtë ceremoni, Martin Solveig, pasi Ada Hegerberg u shpall fituese e Topit të Artë për gratë.
Hegerberg, e cila e ndihmoi Lyonin ta fitojë titullin e ligës së Francës dhe Ligës së Kampionëve, e mposhti Pernille Harder për këtë çmim inaugurues, mirëpo u duk e turpëruar kur Solveig i kërkoi të vallëzojë në një mënyrë që është seksualisht provokuese, e njohur si ‘twerk’.
23-vjeçarja i tha jo dhe tentoi të largohej nga skena, para se të pranonte të vallëzonte nën ritmet e një kënge tjetër. Solveig kërkoi falje menjëherë pas përfundimit të ceremonisë, duke treguar se i kishte kërkuar falje edhe Hegerbergut për komentin e tij.
“Unë ia sqarova asaj dhe ajo më tha se e kuptoi që është një shaka. Megjithatë, unë i kërkoj falje kujtdo që mund të jetë ofenduar nga komenti im. Por, më e rëndësishmja, urime për Adan”, ka shkruar Solveig.
Edhe Hegerberg e ka sqaruar këtë incident, duke e vërtetuar se Solveig me të vërtetë i kishte kërkuar falje. Për më tepër, ajo thotë se në atë moment, nuk e kishte konsideruar atë koment si ngacmim seksual.
“Ai erdhi të më takojë pas ceremonisë dhe ndihej me të vërtetë keq që kishte ndodhur ashtu. Unë me të vërtetë nuk e konsiderova këtë si ngacmim seksual ose diçka të tillë në atë moment. Unë thjesht isha e lumtur që e fitova Topin e Artë dhe po vallëzoja”, ka thënë Hegerberg, fituesja e parë e Topit të Artë për gratë.