Shfaqja e racizmit në stadiumet angleze konsiderohet një akt i rëndë dhe si i tillë dënohet ashpër si nga autoritetet ashtu edhe nga vetë klubet e futbollit.
Në derbin e Londrës mes Arsenalit dhe Tottenhamit, që përfundoi me fitoren 4-2 të “Topçinjve”, një tifoz i “Suprs”-ave provokoi duke hedhur një lëkurë bananeje drejt sulmuesit Pierre-Emerick Aubameyang, teksa ky i fundit po festonte golin e parë të shënuar në portën e Hugo Lloris.
Forcat e sigurisë e identifikuan menjëherë nëpërmjet kamerave dhe e morën nga shkallët e stadiumit, duke e vënë nën masën e arrestit tifozin, që tani do të përballet me pasojat e gjestit aspak të hijshëm të tij.
Gjatë ditës së hënë ka reaguar edhe klubi i Tottenhamit, që ka vendosur ta përjashtojë përjetë tifozin, që nuk do të mund të shkelë më në “Wembley”-t dhe në stadiumin të ri që po ndërtohet për “Spurs”-at.
Averof Panteli, 57 vjeç, baba i tre fëmijëve, deklaroi se ai nuk është racist dhe se e kishte hedhur lëkurën e babanes pa e menduar, si reagim ndaj “provokimit” të sulmuesit të Arsenalit, që vendosi të festonte pranë sektorit ku ishin akomoduar tifozët e Tottenhamit.