Bologna-Lazio do të jetë një nga sfidat e kampionatit italian, që do të luhet sonte në mbrëmje, ndërsa fakti që dy skuadrat stërviten nga dy vëllezërit Inzaghi, e bën vërtetë të veçantë këtë përballje.
Emilianët drejtohen nga më i madhi i familjes, Pippo Inzaghi, i cili shkëlqeu më shumë në karrierën si futbollist, por që nuk është ngjitur në të njëjtin nivel në atë si trajner, pasi rrezikon seriozisht shkarkimin, madje duke filluar që nga mbrëmja e nesërme, nëse Bologna do të humbë.
Nga ana tjetër, Simone është duke bërë shumë mirë me Lazion dhe nesër do të udhëtojë drejt Bolognas për të marrë fitoren e radhës, që do t’i konsolidonte disi pozitat në zonën Champions, ndonëse pasojat te i vëllai mund të jenë fatale.
Kjo pasi në rast se Lazio do t’ia dalë të fitojë në “Dall’Ara”, atëherë Pippo mund të shkarkohet dhe “pesha e përgjegjësisë” do të bjerë edhe mbi vëllanë e tij, Simonen, ndonëse bëhet fjalë vetëm për një ndeshje futbolli.
“Do të jetë shumë e vështirë, por shpresoj që të fitojë më i miri. Në stadium do të jenë prindërit dhe fëmijët tanë, ndaj besoj se do të dhurojmë një ndeshje të bukur. Këto lloj sfidash fitohen vetëm me paraqitje perfekte, ndaj duhet të bëjmë maksimumin”, tha Philippo Inzaghi pas ndeshjes.