Policia britanike është dorëzuar në kërkimet për gjetjen e avionit ku udhëtonte futbollisti argjentinas Emiliano Sala. Pas 72 orësh kërkime, nuk ka asnjë gjurmë nga avioni i zhdukur. Po kështu janë shuar edhe shpresat për të gjetur të mbijetuar nga ajo që tashmë mund të quhet konsumimi i një tragjedie ajrore. “Daily Mail” thotë se kërkimet që nisën ditën e hënë dhe vazhduan deri në mesditën e sotme do të ndërpriten. Sala po udhëtonte nga Franca për në Kardif, ku do ti bashkohej ekipit të ri pas largimit nga ekipi i Nantës. Policia e Guernsey me siguri pas këtij njoftimi do të pezullojë çdo kërkim, ndërsa Emiliano Sala do të shpallet një person i zhdukur deri në gjetjen e trupit.
***
Pistë e re mbi zhdukjen e avionit ku udhëtonte futbollisti
Vazhdojnë pa sukses kërkimet për gjetjen e avionit me të cilin udhëtonte futbollisti Emiliano Sala. Asnjë gjurmë nuk është gjetur, ndërsa shpresat për të gjetur të mbijetuar janë thuajse zero. Por një pistë e re ka dalë në dritë, ekspertë të aviacionit kanë thënë se aeroplani mund të jetë rrëzuar për shkak të akullit në krahë, duke i bllokuar kështu pjesët e sistemit të drejtimit.
Aeroplani i tipit Piper Malibu, me dy persona në bord, ishte nisur nga Nantes dhe do të udhëtonte drejt Cardiff, kur u zhduk mesnatën e së hënës. Para se të humbiste nga radari dhe të shkëpuste komunikimet në radio me kullën e kontrollit, avioni i vogël kishte zbritur në një lartësi 700 metra. Para se avioni të humbiste, futbollisti Sala u dërgoi një mesazh zanor shokëve të tij, të cilëve u thoshte se kishte frikë dhe se aeroplani po dridhej. Kushtet e motit në hapësirën ku avioni fluturonte ishin të këqija.
Autoritetet kanë thënë se është e pamundur që dikush të mbijetojtë në ato kushte, ku era është shumë e fortë ndërsa deti është i trazuar. Megjithatë, nuk është gjetur asnjë pjesë e avionit të rrëzuar. Ajo që do të përcaktojë shkaqet e rrëzimit, do të jetë Kutia e Zezë nëse do të gjendet./tvklan.al