Lojtarët e Real Madridi u paralajmëruan nga trajneri Zinedine Zidane që të përqendrohen në futboll. Në një intervistë me David Beckhamin, Zidane ka zbuluar se këtë gjë ua kishte kërkuar lojtarëve kur ishte bërë për herë të parë trajner i “Los Blancos”.
Zidane mund të mos e ketë pritur të kthehet në stadiumin Santiago Bernabeu këtë sezon, në momentin kur u incizua intervista me ish-bashkëlojtarin e tij. Por, kjo gjë ka ndodhur dhe tani komentet e tij duken edhe më interesante.
“Futbollistët në Real Madrid kanë shumë potencial për të mësuar”, ka thënë Zidane në një intervistë me Beckhamin, të xhiruar për një reklamë të kompanisë Adidas.
“Unë u kam thënë lojtarëve që ta shfrytëzojnë në maksimum mundësinë për të luajtur futboll, në vend se të mendojnë për gjëra të tjera”.
“Sepse shumë prej tyre mendojnë për gjëra të tjera. Për mua, gjërat më të rëndësishme janë sukseset në futboll, të cilat arrihen përmes punës së madhe dhe seriozitetit”.