Tirana kualifikohet mes drithërimash në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Ekipi bardheblu u mposht 2-0 në takimin e kthimit në Laç, por falë suksesit të thellë 3-0 në “Selman Stërmasi” preu biletën për raundin tjetër.
Kurbinasit iu afruan pranë mrekullisë, duke shënuar dy gola, në pjesën e parë me Shtubinën dhe në fillim të fraksionit të dytë me Çokajn, por me gjithë presionin e ushtruar gjatë pjesës së mbetur të lojën nuk mundën të gjenin një tjetër gol, që do ta çonte sfidën në shtesë.
Redon Xhixhi ishte i pafat në minutën e 70-të, me goditjen e tij që përfundoi në shtyllë, ndërsa Sentamu në mundësinë që iu dha para këtij rasti të vendasve, gaboi përballë portierit.
Eliminohet nga Kupa Partizani, që u mposht edhe në takimin e dytë me Luftëtarin në Gjirokastër. Të kuqtë bënë pak për të përmbysur rezultatin e takimit të parë. Goli që u dha qetësinë bluzinnve u shënua në Duna me 11-metërsh në minutën e 34-t.
Tashmë të kuqtë mbeten të fokusuar vetëm në kampionat, ku kryesojnë me 9 pikë më shumë se Kukësi. Takimin e radhës do të luajnë sërish ndaj Luftëtarit, por në “Selman Stërmasi”.