Ritëm, raste, lojë e bukur por asnjë gol. Tirana dhe Kastrioti barazuan 0-0 mes tyre në finalen e parakohshme të mbijetesës në Selman Stërmasi duke lënë gjithçka të hapur për 2 javët e fundit të kampionatit. Tiranës do t’i mjaftojnë edhe 4 pikë nëse Kastrioti fiton dy sfidat e mbetura ndaj Teutës dhe Kukësit. Ishte një ndeshje që duhej fituar kjo për Tiranën por pa praninë e tifozëve në stadium bardheblutë gabuan shumë përpara portës ndërkohë që në pjesën u ndalën edhe nga shtylla. Michael Ngoo ishte ai që shpërdoroi më tepër ndërkohë raste të mira pati edhe Kastrioti por që bardheblutë dolën të pamposhtur nga kjo sfidë meritat shkojnë edhe për Ilion Likën. Portieri veteran i rikthyer në formacionin titullar nga Ardian Mema bëri disa pritje shpëtimtare. Në këtë barazim pa gola të Tiranës dhe Kastriotit, festoi më shumë Luftëtari që falë fitores 3-0 ndaj Kamzës në tavolinë siguroi edhe matematikisht qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar.
Me titullin në xhep Partizani u mposht në Niko Dovana nga Teuta me rezultatin 2-0. Skuadra e Shkëmbit me këtë fitore blindoi vendin e 3-të dhe tashmë vendos nën presionin Kukësin pasi ka vetëm një pikë më pak se verilindorët. Golat për Teutën nga një për çdo pjesë u realizuan nga Progni dhe Sherif Kallaku ndërkohë që në minutat e fundit Sidibe u ndëshkua me karton të kuq.
Fitore e bujshme e Skënderbeut në Kamëz me rezultatin e thellë 0-3 ndaj Kukësit. Skuadra e Shehit mbajti gjallë shpresat për të kapur Europën falë golave të Muzakës, Bregut dhe Pervan. Kjo ishte dhe një hakmarrje e vogël e korçarëve ndaj Kukësit për eliminimin nga Kupa e Shqipërisë.
Pavarsisht mungesave dhe problemeve të shumta vazhdon të surprizojë Flamurtari i Ilir Dajës që në Vlorë falë një goli të Idriz Bathës, mposhti 1-0 Laçin e Starovës duke i dhënë një goditje të fortë shpresave të kurbinasve për të kapur Europën. Një sukses ky që e ngjiti Flamurtarin në vendin e 4-t.