Më 27 maj nis grand slam i Roland Garros, turneu i dytë i madh i këtij viti, një turne spektakolar që zhvillohet në fushat me dhè të Parisit. Dhe si për ta bërë edhe më magjik këtë event në fushë do të zbresin të gjithë tenistët më të mirë në botë.
Përfshi edhe atë, legjendën Roger Federer, që rikthehet pas tri vitesh. Ndaj dhe Roland Garros i këtij viti do të ketë sërish në radhët e tij “3 muskëtierët”: Djokovic, Federer dhe mbretin e fushave me dhe Nadal. Gjë që nuk ndodhte prej vitit 2015.
Rafael Nadal, fitues 11 herë i këtij turneu e kampion në fuqi, konsiderohet si favorit, sidomos pas triumfit një javë më parë në Romë. “Favorit i këtij turneu do të jetë ai që më 9 qershor do të fitojë pikën e fundit të këtij turneu”, tha Nadal. Nëse spanjolli ia del mbanë, në gjysmëfinale do të përballet me mikun e rivalin e tij të përjetshëm, Roger Federer.
“Për mua është një kënaqësi të rikthehem këtu pas 3 vitesh. Madje jam në gjendje të mirë fizike dhe shpresoj të shkoj sa më larg. Në dy turne që luajta, trupi im reagoi mirë ndaj një sipërfaqeje ku kasha kohë pa luajtur. Nuk e di nëse do të fitoj apo jo, shpresoj të paraqitem mirë. Nuk di se çfarë pritshmërie kam”, tha Federer.
“Ky është turneu për të cilin jam përgatitur muajt e fundit. Doja që këtu të vija në formën më të mirë të mundshme dhe jam në gjendje të tregoj se sa vlej. Jam i motivuar dhe dua të triumfoj sërish”, u shpreh Novak Djokovic, numri 1 në botë. Serbi ka fituar vetëm një herë në këtë sipërfaqe, në vitin 2016.