Një vendim i muajit mars, por i publikuar së fundmi në faqen zyrtare të organizmit më të lartë drejtues të futbollit europian, UEFA, mësohet se ekipit të Tiranës nuk do t’i jepet shpërblimi prej 215 mijë eurosh që i takonin si pasojë e pjesëmarrjes në raundin e parë kualifikues të Europa League, vitin e kaluar.
Shkak i këtij vendimi të UEFA-s është bërë gjetja e parregullsive nga ana e klubit të kryeqytetit në përmbushjen e rregullave të licencimit për pjesëmarrje në kupat e Europës.
Ky lajm i keq për kryeqytetasit vjen vetëm dy ditë pasi Tirana siguroi ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar, pasi mposhti Pogradecin, në një ndeshje të vlefshme për Kategorinë e Parë, të shtunën.
Referimi i çështjes së Tiranës përpara trupës gjykuese ishte bërë më 5 shkurt të këtij viti nga kryeinspektori i Trupës për Kontrollin Financiar të Klubeve në UEFA.
Pjesë e procesit monitorues për licencim për pjesëmarrje në kompeticionet e UEFA-s ishte edhe një deklaratë e vet klubit, ku njihte borxhet e papaguara prej 432 mijë eurosh deri më 30 qershor të vitit 2017 ndaj punonjësve dhe autoriteteve fiskale.
Në këtë vendim, Tirana “gjobitet” gjithashtu me pagimin e kostove të procedimit të kësaj çështjeje, prej 3.000 eurosh. Por, vendimi ka qenë i apelueshëm brenda 10 ditëve nga data e vënies në dijeni të tij.