Liverpooli ka arritur të fitojë edhe Superkupën e Europës në ndeshjen ndaj Chelsea-t të zhvilluar në Stamboll. Koha e rregullt e takimit u mbyll në barazim 1-1, dy gola të tjerë në shtesë në fund, te penalltitë u treguan më të saktë lojtarët e Klopp.
Pjesa e parë e ndeshjes ishte më e mirë për “Blutë e Londrës”, përpjekjet e të cilëve u shpërblyen në minutën e 36 me francezin Giroud.
Në pjesën e dytë, situate ndryshoi tërësisht. Klopp hodhi në fushën e lojës brazilianin Firmino, i cili vetëm 3 minuta më pas dhuroi asistin e golit të barazimit të shënuar nga Mane.
Koha e rregullt u mbyll me rezultatin 1-1, ndërsa në 30 minutat e shtesës, skuadrat shënuan sërish respektivisht edhe nga një gol. Mane kaloi në avantazh Liverpool-in, duke shënuar golin e dytë personal në minutën e 95-të. Por festa e kampionëve të Champions League zgjati vetëm 6 minuta kur italiani Jorginho barazoi rezultatin, duke kthyer në gol një 11-metërsh.
Minutat e mbetura nuk sollën gol dhe dy skuadrat iu drejtuan penalltive, atje ku vendosi portieri Adrian, duke pritur penalltinë e fundit të Abraham. Në këtë mënyrë, “The Reds” fituan për herë të katërt në historinë e tyre këtë trofe.