Shqipëri-Francë është një sfidë e veçantë për shumë arsye, inaugurohet stadiumi i ri Kombëtarë, presim kampionët në fuqi të botës, është një sfidë ku priten të jenë të pranishëm në stadium shumë personalitete të fushës së sportit dhe politikës. Më 17 nëntor kryeqyteti pritet të jetë i gjithë në funksion të këtij takimi ndërsa Gazeta “Panorama Sport” ka mësuar në rrugë zyrtare nga Federata Shqiptare e Futbollit edhe planin paraprak të masave që është caktuar deri më tani.
Stjuartë, forca policore dhe jo vetëm kaq. Në këtë ndeshje, Federata Franceze e Futbollit ka bërë edhe një kërkesë për numrin e tifozëve që do të ketë të pranishëm në bazë të përqindjes si tifozëri mike prej 5% të kapacitetit, i cili korrespondon me 21 200 (neto), nga 22000 bruto.
Ndeshja ndaj Francës është konsideruar një sfidë e rëndësisë së veçantë, nisur jo vetëm nga kundërshtari që në fushë do të jenë kampionët e botës, por edhe nga fakti që të pranishëm në inaugurimin e stadiumit të ri kombëtar do të jenë krerët e shtetit shqiptar si dhe kreu i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, si dhe shumë drejtues federatash të ndryshme europiane.
Gazeta ka mësuar se do të jenë të paktën 1650 forca që do të angazhohen për sigurinë, ruajtjen e rendit si dhe kontrollin dhe drejtimin e tifozëve që nga mbërritja në perimetrin rrethues e deri në shkallët e stadiumit apo sistemimin në stolat përkatës./Panorama