“Mos prisni më luftën e përhershme mes nesh. Tashmë jemi rritur që të dy, jemi pjekur dhe për mua është një kënaqësi sa herë që e gjej përballë, pasi ka të gjithë respektin tim më të madh”. Mjaftuan pak fjalë për të lënë gojëhapur shumë prej gazetarëve të pranishëm, të cilët ndoshta kanë pasur gati pyetjet thumbuese për të ndezur duelin e të dielës në pasditen e vonë, mes Totenhemit dhe Mançester Sitit.
Por pikërisht trajneri spanjoll i paraprin të gjitha dhe i shtrin dorën për paqe, madje edhe duke e “bombarduar” me elozhe të shumta, madje edhe duke e mbrojtur figurën e atij që deri dje dukej armiku i tij më i ashpër. “Më vjen keq për ju, por ato përplasjet e viteve të kaluara, disa ndonjëherë edhe mjaft të ashpra, nuk do t’i shihni më. Madje, tashmë u bënë disa kohë që mes nesh nuk ka pasur më përplasje, por arsyeja pse nuk kanë ndodhur këto, unë nuk e di… Ndoshta, që të dy jemi plakur, jemi pjekur, kemi më shumë eksperiencë… Por edhe pse situata është qetësuar, të gjithë jeni gati që ta ndizni atë. Më vjen keq për ju…, – shprehet Pep Guardiola, i cili vazhdon me mbrojtjen dhe elozhe
– Mos mendoni se karriera e Murinjos po vjen në rënie? Si mund ta mendoni këtë gjë, nuk arrij ta kuptoj. Po flasim për një trajner që në 15- 20 vitet e fundit ka qenë gjithmonë në elitë, ka fituar shumë dhe kudo. Madje, është rikthyer në disa skuadra dhe ka rifituar sërish. Murinjo është një ndër trajnerët që ka lënë shumë gjurmë në dy dekadat e fundit dhe këtë duhet ta pranojmë të gjithë.
Po dështimi te Junajtid? Nuk mund të gjykosh dikë, qoftë edhe për Murinjon për një sezon të shtrembër… E mbani mend, edhe Majkëll Xhordan i drejtoi Çikago Bullsat te fitorja e 6 titujve kampionë. Por për ta bërë këtë shpenzoi një karrierë të tërë… Kjo do të thotë që Xhordan më së shumti i ka humbur finalet sesa i ka fituar ato. Prandaj, edhe në rastin e Murinjos, ai është Majkëll Xhordani i pankinave të futbollit. Ka fituar shumë, por normalisht që edhe duhet të humbasë ndonjëherë. Si të gjithë… Edhe unë i dorëzuar për titullin? Sigurisht, për momentin duket një objektiv i pamundur, por jemi ende në garë për Champions-in dhe jemi në finalen e kupës. Ndaj kemi ende objektiva për të arritur”, e mbyll trajneri i Sitit.