Të shtunën, në stadiumin e ri “Wanda Metropolitano”, do të luhet finalja e Kupës së Mbretit në Spanjë ndërmjet Barcelonës dhe Sevillia-s. Në letër padiskutim që më të favorizuar janë katalanasit, por te Sevillia pretendojnë se nëse arrijnë të ‘zhdukin’ Messi-n nga fusha atëherë trofeu do të jetë i tyre.
Në një intervistë për gazetën “AS”, Gabriel Mercado, argjentinasi i cili luan si mbrojtës i krahut të majtë dhe që në këtë rast është përgjegjësi kryesor për fatet e Sevillia-s ka deklaruar: “Nëse e godas Messin, nuk mund të kthehem më në Argjentinë”.
Sevilla është një nga “viktimat” më të preferuara të Messit gjatë gjithë karrierës së tij.
Mercado konsideron se duhet të ketë dy rrethana për ta ndaluar Leon. E para është që Sevilla të mos gabojë në mbrojtje dhe e dyta, që Messi të mos jetë në ditën e tij: “Messi shfaqet kudo në fushë, shënon gola, ndihmon… Do të ketë shumë punë mbrojtja jonë, ndaj duhet të jemi të përkryer. Por, ne kemi ëndrra e një titull në mes, për të cilin duam të japin gjithçka”.