Jurgen Klopp nuk pranon ta thotë me zë të lartë, por ka një ëndërr të fshehur në finalen shpërthyese të këtij sezoni: që të marrë Ligën e Kampioneve të humbur me Borusian e Dortmundit, kur ishte vetëm pak minuta larg titullit, në vitin 2013.
Kundër tij ishte Bajerni i Mynihut dhe Jup Hajnkes, që mund t’i ketë sërish pas 5 vjetësh në finale. Jurgen Klopp, në moshën 50-vjeçare, kërkon të fitojë diçka të rëndësishme, madje mendon për t’i dhënë lamtumirën futbollit.
“Me të gjitha gjasat nuk do të stërvis më një skuadër në moshën e Jup Hajnkesit, edhe pse admiroj se çfarë po bën ai. Puna e trajnerit është intensive dhe pas eksperiencës me Liverpulin do të bëj sigurisht një vit pushim, një premtim që i kam dhënë familjes”, tha trajneri gjerman.
Jurgen Klop nuk e mohoi gjithashtu që do të ishte një ëndërr rikthimi i tij te Borusia e Dortmundit. “Te Mainzi dhe Dortmundi kam kaluar vite të mrekullueshme dhe një ditë mund të rikthehem”, tha trajneri, i cili gjithsesi në fokus ka një hakmarrje të bukur në Champions, ndaj Bajernit dhe Jup Hajnkesit.