Briken Calja e nderoi Shqipërinë me tre medaljet e arta që mori në Kampionatin Evropian. Kampioni i trefishtë e Europës në peshëngritje në një intervistë është shprehur i zhgënjyer se askush nuk ka shkuar atje ta presë nga institucionet shqiptare. “Këtu nuk është askush për të më pritur. Asnjë zyrtar, asnjë përfaqësues institucioni, kjo sepse të gjithë i tremben dopingut. Unë kam zhvilluar 2 teste, kështu që të rrinë të qetë të gjithë” u shpreh Calja.
Duke komentuar suksesin Calja është shprehur se gjithçka ka ardhur falë punës. “Ishte moment mbresëlënës kur dëgjova himnin kombëtar . Gabimet që janë bërë në të kaluarën kur u dënova për doping nuk kanë ardhur për shkakun tim. Ishte një medikament që përdora dhe nuk e dija që ishte e ndaluar. Kjo erdhi sepse nuk kisha as fizioterapist e as mjek. Gjithsesi të shohim përpara”, tha ndër të tjera kampioni i Evropës.