Menyja e javës e Bajrenit ka si pjatë të parë hakmarrjen ndaj Realit. Formacioni bavarez do të përballet me atë që e cilësonte kundërshtari më i vështirë para finales së madhe në Champions.
Kampionët e Bundesligës, edhe këtë sezon do të luajnë ndaj “Los Blancos”, por ndryshe nga viti i kaluar, tashmë përballë janë takimet e gjysmëfinaleve.
Të dy ekipet eliminuan respektivisht Sevillan dhe Juventusin, e tani synojnë finalen “epike” të Kievit në Ukrainë.
Formacioni i Jupp Heynckes synon sërish “tripletë”, që e ka fituar më parë në vitin 2013. Uli Hoeness, presidenti i Bajrenit paralajmëroi Realin se llogaritë tani bëhen ndryshe.
“Jemi më në formë sesa sezonin e kaluar dhe nuk do të bëjmë llogari me dëmtimet, si në vitin 2017. Manuel Neuer ka një zëvendësues si Sven Ulreich, që është shumë i mirë. Kemi lojtarë në formë si Thomas Mueller, apo të tjerë që janë rigjeneruar nga trajneri Heynckes. Vitin e kaluar, arbitri Kassai bëri 3-4 gabime të mëdha dhe gjykimi i tij ishte i sikletshëm”, tha Hoeness.
Ky takim do të jetë gjithashtu një sfidë e drejtpërdrejtë edhe mes dy sulmuesve më në formë të momentit, Robert Lewandowski dhe Cristiano Ronaldo. Polaku ka mundësinë të joshë sërish ekipin që kërkon me ngulm në merkato, ndërsa portugezi synon të shtojë një tjetër Champions në muzeun prestigjioz të trofeve.