Milwaukee-Boston ishte e vetmja sfidë në fazën e “play-off”-eve të NBA-së, ku faktori fushë u respektua në maksimum.
Të dyja këto skuadra shkuan deri në sfidën e 7 mes tyre, për të përcaktuar të kualifikuarin për në gjysmëfinalet e Konferencës së Lindjes, dhe ai rezultoi Boston Celtics.
Në “TD Garden”, ekipi nga Massachusettsi fitoi sfidën ndaj “Bucks” 112-96, për të mbyllur serinë 4-3. Ata që drejtuan Bostonin drejt këtij suksesi ishin Al Horford dhe Terry Rozier, me nga 26 pikë secili, kuota më e lartë e pikëvë të shënuar prej tyre në karrierë në një fazë “play-off”-i, ndërkohë që spikati edhe Jayson Tatum me 20 pikë.
Milwaukee u detyrua të dorëzohej përballë Bostonit, por u largua nga kjo fazë e “play-off”-eve me kokën lart, pasi u krijoi shumë vështirësi “Celtics”-ave.
Në Konferencën e Perëndimit nisën ndërkohë seritë e gjysmëfinaleve. Të parat që zbritën në parket ishin Golden State dhe New Orleans, me ndeshjen e zhvilluar mes tyre në “Oracle Arena” të Oaklandit.
Ishin pikërsisht kampionët në fuqi të NBA-së që fituan aktin e parë të kësaj gjysmëfinaleje, me rezultatin 123-101, duke iu shkaktuar “Pelicans”-ëve humbjen e parë në këtë “play-off”.
Pas një periode të parë të ekuilibruar, Golden State vendosi diktatin në parket dhe për New Orleansin ishte e vështirë të përballonte basketbollistët kampionë në fuqi. Klay Thompson me 27 pikë dhe Kevin Durant, me 26 pikë e 13 topa në tabelë, ishin më të mirët në parket për “Warriors”-at.
Por në këtë fitore, kontribut tqë rëndësishëm dha edhe Draymond Green, me 16 pikë, 15 topa në tabelë e 11 asiste. Ndeshja e dytë mes tyre do të luhet mbrëmjen e së martës dhe Golden State do të ketë në radhët e saj edhe Stephen Curry, që do t’ia rrisë edhe më shumë shkallën e vështirësisë për këtë përballje ekipit të New Orleansit./ Tch