Të ardhurat nga Global Nations League – Disa federata futbolli europiane mund të fitojnë deri në 75 milionë dollarë çdo dy vjet nëse planet për një kompeticion të ri global do të miratohen si pjesë e rishikimit prej 25 miliardë dollarësh të FIFA-s sa u përket kompeticioneve.
Formati kompleks global do të niste me grupe kualifikuese rajonale me ngjitje dhe rënie nga liga, duke e çuar ndarjen në 7 divizione. Kulmi i kompeticionit do të ishte një mini turne me tetë skuadra, të përbëra nga formacione nga pesë kontinente, ndër të cilat tre shtete europiane dhe dy amerikanojugore.
Konsorciumi po siguron 13 miliardë dollarë të ardhura në 12 vjet nga Kompeticioni “Nations League”, duke i dhënë mundësinë FIFA-s të kompensojë vendet që do të humbnin datat e ndeshjeve që aktualisht janë të rezervuara për miqësoret. Në çdo rast, formatet e reja nuk janë një kërcënim për të ardhmen e Kupës së Botës, ku në vitin 2026 do të marrin pjesë 48 formacione nga 32 aktualisht.
Në një propozim të Infantinos për Europën, FIFA parashikon që të pesë vendeve më të mira t’u garantohej marrja e 37,5 – 50 milionë dollarë për të luajtur gjashtë ndeshje në fazën e parë të “Nations League”.
Çdo skuadër që do të kualifikohej për “Final 8” në vitin e ardhshëm do të fitonte 15 milionë dollarë dhe 5 milionë të tjera për pjesëmarrjen në finale, ose 10 në rast se fitojnë trofeun. Fitimi i 75 milionë dollarëve për trofeun e “Nations League” do të eklipsonte 35 milionë dollarë të fituara nga Gjermania për titullin Kampion Bote në vitin 2014 në Brazil apo 38 milionë të vëna në dispozicion për ekipin që do të shpallet Kampion Bote në Rusi 2018.
Këshilli drejtues me 37 anëtarë i FIFA-s duhet ende të miratojë dy kompeticionet. Marrja e konsensusit nga UEFA mund të jetë e vështirë pasi një Kupë Bote për Klube me 24 skuadra pjesëmarrëse, 12 prej të cilave do të ishin klube europiane, mund të zhvlerësojë kompeticionin e Champions League.