Liverpooli do të jetë finalisti tjetër i edicionit të këtij viti në Champions League, si kundërshtar i Realit të Madridit kampion të dyfishtë të Europës, pavarësisht se u mposht 4-2 në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale nga Roma, në “Olimpico”.
Pavarësisht pritshmërisë së lartë për një përsëritje të asaj mrekullie të ndodhur ndaj Barcelonës në çerekfinale, këtë herë ndaj anglezëve të Liverpoolit gjërat nuk shkuan siç duhej. Verdhekuqtë e panë veten në disavantazh që në minutën e 9, me Mane që shënoi për “The Reds”.
Në minutën e 15, Milner do të shënonte gabimisht në portën e tij për të barazpeshuar rezultatin, por Liverpool do të kalonte sërish në avantazh brenda 45 minutave të para, me anë të Wijnaldum në minutën e 25-të.
Në pjesën e dytë, Dzeko do të rindizte sërish ato pak shpresa për romanët, kur shënoi pas vetëm 7 minutash nga rifillimi i lojës. Por nga ky moment e deri në fund, me “dritën në fund të tunelit” që bëhej gjithnjë e më pak e dukshme, Roma të paktën arriti ta mposhtë rivalin anglez për t’iu dhënë të tifozëve kënaqësinë e largimit me nder nga ky kompeticion.
Nainggolan fillimisht do të kalonte në avantazh Romën, me një gjuajtje nga distanca në minutën e 86, ndërsa në të 93-tën do ta thellonte edhe më tej rezultatin në 4-2, pas një 11-metërshi të ekzekutuar prej tij.