Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), ka dënuar sot konfliktin midis sportistëve të peshngritjes dhe drejtuesve të saj, e cila gjeneroi deri në konflikt fizik gjatë ditës së djeshme.
Dje sportistët e trajnerët e sportit të peshëngritjes kanë shkuar të kërkojnë të drejtën e tyre zyrat e olimpizmit shqiptar, pasi KOKSH ka marrë vendimin për të pezulluar për dy vjet sportin e peshëngritjes nga evenimentet olimpike.
Kjo ka sjellë irritimin e shtangistëve, që kërkojnë anullimin e vendimit.
“KOKSH dënon dhunën e spotistëve dhe trajnerëve të tyre, që dje (e mërkurë) uzurpuan zyrat tona. Për ne kjo është një sjellje antisportive, e pa denjë dhe e papranueshme, në thyerje të kodit të etikës. Ne do të njoftojmë organizmat ndërkombëtarë: Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe atë Europian, Federatën Botërore dhe atë Europiane të Peshëngritjes si dhe komitetin organizator të Lojërave Mesdhetare “Tarragona 2018”.
Acarimi i sportistëve vjen si pasojë e mosregjistrimit të tyre në Lojërat Mesdhetare, pasi Federata Shqiptare e Peshëngritjes nuk ka respektuar afatet e regjistrimit. Më datën 26 mars, komiteti ekzekutiv i KOKSH mori vendimin për të pezulluar 2 vjet FSHP-në nga të gjitha aktivitete olimpike.
Ky vendim shpreh qëndrimin e KOKSH ndaj keq-qeverisjes së Federatës së Peshëngritjes, si nga mosrespektimi i afateve për pjesëmarrje në aktivitetet olimpike dhe, sidomos, i mungesës së tolerancës zero ndaj dopingut në këtë sport.”- ka thënë në një deklaratë për shtyp Stavri Bello, sekretari i KOKSH.