Skuadra e Vllaznisë nuk po kalon momentet e saj më të mira. Ekipi shkodran ka probleme me renditjen e klasifikimit, pasi ndodhet në vendin e parafundit dhe në rast se Superiorja mbyllet tani, atëherë ekipi shkodran do të bjerë nga Kategoria. Në fakt, skuadra shkodrane dhe trajneri Ernest Gjoka e kanë vetë fatin në dorën e tyre, pasi do të presin në shtëpi ekipin e Kamzës. Kjo do të jetë dhe finalja e mbijetesës, pasi në rast se skuadra shkodrane humb atëherë shanset që të shpëtojë janë shumë të vogla. Në të kundërt, ekipi kuqeblu kalon Kamzën me një pikë dhe del në sipërfaqe.
Problemet - Ekipi shkodran sapo ka përfunduar seancën e sotme stërvitore përpara ndeshjes me Kamzën. Stafi teknik ka përgatitur si duhet futbollistët dhe i ka dhënë atyre ngarkesën e duhur fizike. Burime të Eduasportin.com pranë klubit shkodran bëjnë me dije se në takimin kundër Kamzës, trajneri Ernest Gjoka do të ketë një mungesë shumë të madhe. Sulmuesi Xhevahir Sukaj nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Kamzës. Përgatitjet e sotme e vunë në pah këtë aspekt. “Xhevoja” nuk ja ka dalë mbanë të jetë i gatshëm për teknikun shkodran, Gjoka. Numri një i stolit do të ndjejë mungesën e Sukajt.
Premio – Nga krahu tjetër, futbollistët e Vllaznisë janë ngrohur para ndeshjes me Kamzës, pasi kanë marrë premion e fitores kundër Laçit. Deklaratat e Kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu, bien poshtë, pasi skuadra shkodrane ka marrë çdo premio të fituar deri tani. Deputeti i Shkodrës, Tom Doshi, e ka mbajtur fjalën e tij dhe ka mbështetur futbollistët shkodranë. Ai nuk do të “mungojë” së motivuar skuadrën as në vazhdimësi, pasi në këto momente skuadra kuqeblu ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Në takimin e së mërkurës që do të zhvillohet ditën e mërkurë, prej orës 19:00, në stadiumin “Loro Boriçi” pritet të ketë dhe një pjesëmarrje të lartë të tifozerisë. /EDS