Mesfushori i kombëtares shqiptare Odise Roshi ka gjetur rrjetën e parë për këtë edicion në kampin rus me fanellën Akhmat Grozny. Pas suksesit ndaj Anzi Makhackala, Akhmat renditet në vendin e 8-të në klasifikim, me 38 pikë. Fieraku nuk e nisi këtë takim që nga minuta e parë, por u aktivizua në pjesën e dytë dhe zëvendësimi i tij rezultoi i frytshëm për Akhmat, pasi blindoi fitoren. Grozny mposhti me rezultatin e pastër në transfertë 2-0 Anzi Makhackala, teksa Bekim Balaj dhe Bernard Berisha e nisën ndeshjen që nga minuta e parë. Miqtë kaluan në avantazh me anë të Rodolfo, i cili shënoi një gol të mrekullueshëm nga goditja e dënimit pas 18’ minutash lojë. Ky fraksion u mbyll me avantazhin minimal të Akhmat Grozny. Në pjesën e dytë, gjithçka bëhet edhe më e lehtë për Akhmat, pas daljes me të kuq të mesfushorit Tetrashvili, i cili e la me 10 futbollistë Anzi Makhackala.
Në avantazh dhe superioritet numerik, gjithçka bëhet më e thjeshtë për miqtë që shënojnë edhe golin e qetësisë me anë të Odise Roshit. 26-vjeçari e dërgoi sferën në rrjetë në minutën e 87’ pas asisit të Silva Lima. Ky ishte goli i parë për Roshin këtë edicion në Premier League të Rusisë, teksa ka dhënë edhe tre asiste. Mesfushori i kombëtares shqiptare ka grumbulluar deri më tani 20 ndeshje në kampionat me fanellën e Akhmat, por vetëm 13 prej tyre si titullar, ndërsa sot shënoi golin e parë. Përveç Roshit, edhe Balaj bëri një performancë të mirë në fushë, ndonëse pas 66’ minutash lojë ja la vendin Mbengue. Shkodrani ka vuajtur këtë sezon si pasojë edhe e dëmtimeve, ndërsa akoma nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës në kampionat. Deri tani 27-vjeçari ka zbritur 12 herë në fushë, prej të cilave vetëm 6 si titullar, ndërsa ka dhënë vetëm një asist. /EDS/