Diego Armando Maradona e parshikoi që Argjentina e tij do të fitonte Kupën e Botës, kur ishte vetëm 14 vjeç. Një video e dalë në dritë së fundmi tregon legjendën e futbollit botëror kur ishte adoleshent, duke parashikuar triumfin më të madh për të cilin mund të ëndërrojë çdo futbollist.
Video është publikuar në “History Channel”, ku Diego tregon mbi veten. “Dy ëndrra kam”, thotë argjentinasi. “E para është të fitoj Kupën e Botës dhe e dyta është të bëhem një kampion”. Mund të thuhet se ky është rasti ku ëndrrën e bën realitet. Maradona luajti në 4 Botërorë me Argjentinën, duke fituar atë të vitit 1986 kundër Gjermanisë, si dhe arriti në finale në vitin 1990 këtë herë duke u mundur nga gjermanët.
Në Botërorin ku u fut në listën e lojtarëve më të mir të planetit, ai realizoi golin e famshëm me dorë kundër Anglisë, por edhe golin më të bukur të historisë së Botërorëve, ku dribloi të gjithë mbrojtjen angleze që nga mesi i fushës.
Në një karrierë të mbushur me suksese dhe arritje, në vitin 1982, Maradona u bë lojtari më i shtrenjtë në botë kur u ble nga Barcelona për 7,6 milionë $. Gjithashtu ai ëshë i pari lojtar i Barcelonës që merr duartrokitjet nga tifozët e Real Madrid pasi shënoi dy gola në fitoren 2-1 në “El Classico”-n e vitit 1983.