Botërori Rusi 2018 / Tronditet Brazili, kapiteni humbet finalet!

Premte, 11 May 2018 19:39

Goditje e rëndë për kombëtaren braziliane, teksa një muaj para nisjes së Botërorit humbet një element të rëndësishëm. Bëhet fjalë për Dani Alves, mbrojtësit titullar fiks në skemat e trajnerit Tite, i detyruar të tërhiqet (humbet kështu atë që do të ishte Botërori i tij i tretë) për një dëmtim të ligamentit krocat i gjurit të djathtë që pësoi gjatë finales së Kupës së Francës të fituar të mërkurën e kaluar kundër Les Herbiers. Braziliani i është nënshtruar analizave të detajuara mjekësore nga ana e stafit të kombëtares, që kishte zbarkuar menjëherë në Paris për të vlerësuar dëmtimin dhe kohën e rikuperimit eventual. Por diagnoza e Rodrigo Lasmar, i cili është shefi i ekipit mjekësor, ka qenë e pamëshirshme: nuk ka asnjë shans që Dani Alves të mund të rikuperohet në kohë për të qenë i gatshëm të zbresë në fushë me kombëtaren në finalet e Botërorit rus.

 

ASNJË SHPRESË – Në rast se do të operohej, ish-mbrojtësi i Barcelonës dhe Juventusit do të kishte nevojë për të paktën 2 muaj për të ecur normalisht dhe për t’u kthyer në fushën e stërvitjes. Në rast se do të shmangej operacioni, hipotezë për t’u vlerësuar brenda tre javëve, Dani Alves do të duhej të priste edhe 45 ditë të tjera për të kapur sërish ritmet normale të stërvitjes. Pra, në të dyja rastet, kohët e rikuperimit do të ishin shumë të gjata. Madje, sapo ka marrë vesh lajmin mësohet se Tite po shqyrton emrat që mund ta zëvendësojnë, në një kohë që të hënën do të shpallë edhe listën paraprake të kombëtares. Sipas asaj që shkruan “Globoesporte”, në vend të tij mund të ftohen Fagner (Corinthians), Danilo (Manchester City) dhe Rafinha (Bayern Munchen). Në çdo rast do të ishin zgjidhje emergjente për Titen, i cili duhet të llogarisë mungesën e sigurt të atij që duhet të ishte kapiteni i Brazilit në Botërorin Rusi 2018./EDS/

Login to post comments