Hakerat me vjedhjet e tyre, po gjejnë një shtrirje gjithmonë e më të gjerë në vendin tonë. Rreth 500 mijë euro u janë vjedhur qytetarëve dhe subjekteve private nga të dhënë e tyre bankare gjatë 6 muajve të parë të 2018-s. Vetëm në Tiranë, 53 qytetarë dhe biznesmenë kanë rënë pre e vjedhjeve on-line gjatë këtij viti.
Edhe pse këto denoncime janë bërë në polici përsëri gjetja e keqbërësve është tepër e vështirë, pasi ata nuk figurojnë brenda territorit shqiptar, por operojnë kryesisht nga vendet e Europës Lindore.
Hetimi për Krimet Kompjuterike në Policinë e Shtetit thekson se rastet e mashtrimeve on-line janë shtuar nga viti në vit, duke i bërë apel qytetarëve dhe subjekteve private të bëjnë kujdes për sa i përket ekspozimit të të dhënave bankare për pagesë në llogari on-line.
Sulmet më të zakonshme janë ato që ndodhin nëpërmjet klonimit të kartave të kreditit ose atyre të debitit. Vetëm një vit më parë nëpërmjet një pajisje të quajtur “Skimmer”, një shtetas bullgar arrinte të klononte në vendin tonë 2000 karta, duke i shkaktuar një dëm prej 300 mijë euro rroga-marrësve në bankat e nivelit të dytë.
Por mashtrimet on-line si edhe fshehjet e të ardhurave nga aktivitete kriminale kanë gjetur një përhapje të gjerë javën e fundit në kryeqytet.
Dy persona janë prangosur, një italian dhe një shqiptar, pasi kishin arritur të fshihnin të ardhurat nëpërmjet veprimtarisë fiktive në vlerën e 2.5 milionë eurove. Stefano Lorenzi operonte në fushën e ndërtimit dhe për një periudhë të shkurtër kohore kishte përfituar 1.5 milionë euro, të cilat i ka transferuar nga Hong Kongu, Kina dhe Italia. Dyshimet e prokurorisë janë se ato para vijnë nga aktivitete kriminale, duke kërkuar edhe sekuestrimin e tyre me vendim gjykate.
Ndërsa Klodian Ciruna, kishte përfituar 1 milion euro, pasi i kishte premtuar tre personave leje ndërtimi. 41-vjeçari kishte falsifikuar email-in e një studio avokatie në Milano, duke arritur të bënte edhe kontrata noterie fiktive për shitjen e dyqaneve dhe apartamenteve të reja.