Një njoftim i Policisë së Gjirokastrës për arrestimin e një 40 vjeçari nga Fieri për rrëmbim dhe pengmarrjen një 17 vjeçareje nga qyteti jugor zbuloi një histori sa tragjike aq absurde që luhet prej kohësh mes dy familjeve të komunitetit rom.
Shpëtim Muharremi është vënë në pranga pasi familja e Skënder Dalipit, që është vëllai i bashkëshortes së tij të pare, e akuzon se i ka rrëmbyer dy herë vajzën e mitur ndërsa ngrenë edhe dyshime për abuzim nga 40 vjeçari.
Babai i vajzës: Ai do hajë burg.Do bëjmë vrasje.
Policia në njoftimin për ngjarjen thotë se zyrtarisht nuk e di vendndodhjen e vajzës, e cila në fakt jeton prej muajsh në Levan të Fierit, ku thotë se është martuar me djalin e personit që akuzohet se e ka rrëmbyer.
Megjithëse nuk di mirë shqip, ajo thotë se qëndron aty me dëshirë dhe nuk dëshiron të kthehet pranë familjes në Gjirokastër pasi sipas saj e kanë martuar me zor.
Vajza: Kam ardhur vetë me autobus, dua të rri me burrin, me Edin.
Por nga dyert e komisariatit të Policisë së Gjirokastrës ku qëndron prej ditësh, e ëma e 17 vjeçares thotë se vajzës i bëhet presion.
Nëna e vajzës: E mësojnë ata, flet ajo. Ka frikë.
Historia bëhet edhe më tragjike, ndërsa të dyja familjet pranojnë se 17 vjeçarja është detyruar të abortojë një fëmijë.