Kur flasim për mjekët që duan të ikin në Gjermani, faktet janë kokëfortë. Shqipërisë nuk po i ikin vetëm mjekët dhe infermierët profesionistë, siç raporton Shoqata e Infermierëve, por edhe kandidatët e shkëlqyer për mjekë. Ata me mesatare 9,8.
Endrju dhe Belinda janë 2 shembujt konkretë që kanë nisur të mësojnë gjermanisht që në klasën e gjashtë, të qartë në qëllimin e tyre.
“Unë shoh mundësitë e mia më të mira për t’u arsimuar në Gjermani sesa këtu, programet mësimore kanë më shumë lidhje me praktikën, për më tepër gjermanishtja është gjuha e dytë shkencore në botë”, deklaron Endrju.
“Arsimi elitar gjerman, kur të jepet kjo mundësi, duhet shfrytëzuar. Kam aplikuar në Mynih. Jam optimiste, por nëse nuk arrij në Gjermani, do të vazhdoj këtu”, shprehet Belinda.
Si Belinda edhe Endrju po largohen nga Shqipëria për studime më cilësore, por janë idealistë kur thonë se do të rikthehen.
Endrju thotë: “Pikërisht për shkak të problemeve që ka sistemi shëndetësor në Shqipëri dua të bëj diçka ndryshe për ata që nuk mund të jetojnë jashtë. Rroga sigurisht është e rëndësishme për të mbajtur familjen, por jo përpara misionit human që ka mjeku”.
“Të ardhmes nuk i dihet asnjëherë, por pse jo eksperiencën që do marr atje të mos e sjell në vendin tim? Nëse një mjek arrin rezultate të mira, profesionale, atëherë përfitimi ekonomik nuk ka peshë aq të madhe”, thekson Belinda.
Këtë vit nga Shqipëria do të largohen mbi 6000 maturantë, që kanë aplikuar për të studiuar kryesisht në Europë.