Ndërsa prej dy javësh Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po zhvillon nga 3 apo 4 seanca në javë me gjyqtarët e prokurorët, të njëjtin rritje të aktivitetit ka shënuar edhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Për muajin korrik, këtij komisioni i është dashur të shqyrtojë ankimimet apo pretendimet e 5 subjekteve të rivlerësimit, të cilët kërkojnë shfuqizimin e vendimeve për shkarkimin nga detyra.
Më datë 10 korrik Kolegji ka marrë në shqyrtim kërkesën e Komisionerit Publik për ndërprerjen e Vetting-ut për Prokurorin Sulejman Tola.
Një ditë më pas Kolegji ka regjistruar kërkesën e gjyqtarit Fatmir Lulo, i cili kërkon rrëzimin e vendimit për shkarkim dhe rikthimin në detyrë, shkruan Scan.
Më datë 16 korrik, Kolegji i Apelimit do të vendosë mbi përfshirjen apo jo në Vetting të Gjyqtares Mirela Fana, e cila ka paraqitur dorëheqjen.
Më datë 17 korrik Kolegji do të shqyrtojë kërkesën e Gjyqtarit të Kushtetueses Fatos Lulo për rikthimin në detyrë pas shkarkimit nga ana e Komisionit të Pavarur të Apelimit.
Më datë 26 korrik, Apeli do të shqyrtojë kërkesën e Gjyqtarit të Durrësit Beshim Trezhnjeva, i cili kërkon gjithashtu rikthimin në detyrë.