Fondi i Kompensimit mbetet “Thembra e Akilit” për tregun sot dhe zgjidhja e tij kërkon ndërhyrje në disa hallka të zinxhirit të institucioneve.
Drejtori i Përgjithshëm i operatorit më të madh në treg, SIGAL, Avni Ponari, në një intervistë për “Monitor” vlerëson se situata e krijuar është produkt i një historie të gjatë me mjete të pasiguruara, institucione që nuk kanë ushtuar kompetencat e duhura në kontroll, një Byroje që është keqadministruar, një gjyqësori që ka dhënë vendime jo të drejta.
Në fund, të dëmtuarit, sipas Ponarit, kanë marrë vetëm 40% të dëmshpërblimit, të pakën ata që e kanë marrë. Sipas tij, sot dixhitalizimi krijon mundësi për një sistem transparent, ku kompanitë të japin llogari. Flet Avni Ponari, kompania e sigurimeve SIGAL
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka bërë publik draft-ligjin “Për sektorin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Në këndvështrimin tuaj, si e gjykoni këtë draft?
Është koha për të bërë ndryshime thelbësore në ligj, duke përcaktuar qartë detyrimet e siguruesit dhe të siguruarit. Ky draft nuk e zgjidh këtë problem. Mendoj që ai duhet rregulluar në përputhje me direktivat e Komunitetit Europian ku përcaktohen qartë detyrimet e palëve, por themelore mbeten: Byroja, ndarja e saj në Byronë e Sigurimeve dhe Entin e Fondit të Kompensimit me detyrat që rrjedhin nga Këshilli i Byrove.
Së dyti, figurat e dëmit dhe përcaktimi i saktë i vlerës së dëmit dhe kohës së pagesës, si dhe elemente të tjera në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian.
A mendoni se këto ndryshime zgjidhin problematikat që ka sot tregu dhe çfarë mbetet ende për t’u bërë?
Natyrisht, nëse ky ligj nëse do të reflektojë përvojën e tregut bashkuar me direktivat e Bashkimit Europian dhe kërkesat e kohës, duke mbrojtur interesat e policë-mbajtësve, do të krijojë një klimë pozitive në treg. Po kështu, do të ndikojë edhe në krijimin e një besimi të shëndoshë për pagesën e dëmeve, pasi në fund të fundit ky është qëllimi final i kësaj industrie.
Ka një ngërç me Fondin e Kompensimit që duket se ka futur në një rreth vicioz kompanitë, Byronë e Sigurimit dhe AMF. Si e shihni këtë problematikë?
Fondi i Kompensimit me ligj ka tre burime financimi: nga kompanitë e sigurimeve, gjobat e policisë dhe të ardhura nga regreset që arkëtohen nga shkaktarët e dëmeve. Financimi i Kompanive është vendosur sipas ligjit dhe miratuar në AMF çdo vit, paditë e regresit nuk janë në nivelin e duhur për mungesë përgjegjësie të drejtuesve të Byrosë në vite dhe për shkak të rritjes së vlerave të dëmeve nga ana e gjykatave, nganjëherë edhe përtej kufijve ligjorë.
Nëse dëmi material në kompani është 80 mijë lekë në Byro, ai i kalon 300 mijë lekë dhe dëmi shëndetësor është gjithmonë 3 deri 4 herë më i lartë në Byro. Nga ana tjetër, të gjitha vendimet e gjykatave me palë të paditur Byronë, janë zhvilluar në kundërshtim me ligjin, pasi në gjykatë nuk është thirrur pala shkaktare e dëmit. Gjykatat, nën presionin e një grupi të vogël avokatësh, kanë krijuar një histori të shëmtuar në dëm të viktimave dhe shkaktarëve të dëmeve. Duke krijuar një opinion negativ për pagesat e këtyre dëmeve, Ligji ka përcaktuar qartë që gjobat e policisë për mjete të pasiguruara shkojnë në dispozicion të Fondit të Kompensimit, por ka mbi 10 vjet që asnjë e ardhur në Fondin e Kompensimit nga gjobat nuk është regjistruar. AMF-ja ia vë fajin Ministrisë së Financave. Nga ana tjetër, Ministria e Financave nuk e konsideron si një përgjegjësi që duhet përmbushur. Kjo situatë ka ndikuar që edhe numri i të pasiguruarve të rritet dhe natyrisht, përgjegjësia të bjerë mbi kompanitë dhe në fund të fundit mbi policë-mbajtësit. Sot ka mbi 20% të mjeteve të pasiguruara, çka mbetet një rrezik potencial që Fondi i Kompensimit të vazhdojë të rritet ose të zmadhojë gropën e krijuar, edhe pse për 10 vitet e fundit, mund të jenë paguar nga kompanitë mbi 40 milionë euro.
Pse kemi një nivel të tillë detyrimesh të prapambetura në Byronë e Sigurimit, çfarë mund të bëhet që të mos përsëritet kjo situatë?
Fondi i Kompensimit ka ardhur çdo vit duke u rritur, për shkak të keqadministrimit të Byrosë, edhe pse është ent privat, por me përgjegjësi kolektive, si dhe plot shkaqe të tjera si mosidentifikimi i shkaktarëve të viktimave të rrugës, mungesës se bonus-malusit, apo mosfunksionimit të sistemit të shitjes online jo rrallë apo abuzimit të ndonjë kompanie në deklarimin e policave të shituara, pa harruar abuzimin e gjykatave të ndodhura nën presionin e avokatëve, të cilët preferojnë më shumë paditë ndaj Fondit të Kompensimit dhe Byrosë, duke zhvilluar gjyqe në shkelje të ligjit, pa praninë e palës shkaktare, dhe duke rritur këto vlera edhe përtej përcaktimeve ligjore, kanë krijuar një situatë të vështirë për tregun, por mbi të gjitha për qytetarët.
Tregu i sigurimeve është i rregulluar me ligj dhe ka një strukturë të tërë që merret me rregullimin e tregut dhe strukturave të tij. Favorizimi apo devijimi nga kërkesat ligjore nga ana e autoritetit, është njëlloj sikundër favorizimi dhe devijimi i komisionit të prokurimeve në organizimin e tenderëve. Nëse mbikëqyrësi është korrekt, në respekt të ligjit dhe zbaton me korrektësi normat e këtij ligji, natyrisht edhe tregu do të ecë në shinat e përcaktuara nga ai.
Ne jemi një treg i vogël, më i vogli në rajon, me rreth 35 euro për frymë në vit. Një treg i tillë si i yni mund të monitorohet fare lehtë nëse ekziston dëshira dhe vullneti i instancave përkatëse. Në ditët e sotme, çdo gjë po shkon drejt dixhitalizimit dhe programimit, ndaj është fare e thjeshtë që të ndërtohet një sistem monitorimi dhe kontrollin e kompanive të sigurimit ta bëjë sistemi.
Pagesa e dëmeve të drejtpërdrejta të bëhet nga çdo kompani, në rastet kur dëmi është shkaktuar nga një i pasiguruar. Fondi i Kompensimit të mbulojë vetëm për atë pjesë aksidentesh që vijnë si shkak i përplasjes së të dy të pasiguruarve apo kur një i pasiguruar godet objekt, sende të tjera dhe viktima të rrugës. Kjo do ta mbrojë klientin dhe do të zvogëlojë numrin e të pasiguruarve, për shkak të veprimeve të shpejta që kompanitë do të bëjnë ndaj të pasiguruarve dhe ndjekjen më operative të shkaktarëve. Për pasojë, do të ulej edhe numri i personave që paguajnë dëme.
Konstatimi është i rëndësishëm, por programimi për rregullimin e një problemi kërkon pjesëmarrjen e të gjithë faktorëve me program të qartë, në interes të mbrojtjes së interesave të policë-mbajtësve, nga njëra anë, nga ana tjetër, dëmet e paguara në emër të shkelësve të ligjit, pra të pasiguruarve nuk mund ta mbysin opinionin për një treg që përpiqet të përmbushë detyrimet që ka ndaj policëmbajtësve dhe të dëmtuarve dhe, natyrisht, të mbulojë përgjegjësitë e tyre financiare si shkaktarë të dëmit.