Ish-efektivi i policisë Boran Bërçama dhe bashkëjetuesja e tij Silvi Ndocaj me të cilin kishte edhe një fëmijë rreth dy vjeç janë ekzekutuar nga një person i vetëm. Në këtë konkluzion kanë arritur hetuesit e çështjes së rëndë të zbuluar mëngjesin e djeshëm pasi kanë kqyrur kamerat e sigurisë.
Referuar pamjeve që kanë mundur të regjistrojnë kamerat e sigurisë së bizneseve pranë vendit të quajtur “Rruga e gjerë”, në Shkodër, burimet policore thonë se dy të rinjtë janë ekzekutuar me breshëri automatiku rreth orës 1:15 minuta të natës, ndërsa janë zbuluar nga kalimtarë të rastit më shumë se 5 orë më vonë.
Ndonëse autori që ka qëlluar fillimisht mbi Boranin, pastaj mbi bashkëjetuësen e tij ka qënë një i vetëm, identifikimi i tij është i vështirë. Për këtë arsye pamjet e kamerave të sigurisë janë dërguar për një ekspertizë më të mirë në Tiranë.
Në një foto të siguruar më herët nga “BalkanWeb” e fiksuar pak minuta pas vrasjes, Borani duket i kthyer në të djathtë, nga sedilja ku qëndronte bashkëjetuesja e tij. Kjo të krijon përshtypjen se ai ka tentuar të mbrojë gruan dhe fëmijën.
(Ne foto, viktimat e shtrira brenda makinës së tyre)
Ndërkohë sedilja e parë ku qëndronte Silvi është e shtyrë pas, duke të lënë përshtypjen sikur ka qënë disi e shtrirë. Ende nuk është përcaktuar nëse djali i tyre ka qënë i ulur në sediljen e pasme apo në prehrin e nënës, aty ku e kanë gjetur mëngjesin e së dielës të mbuluar me gjak, por fatmirësisht të paprekur nga plumbat. Pritet që me daljen e ekspertizës të saktësohet e gjithë skena e vrasjes.
Paraprakisht dyshohet se ka qenë një autor që ka qëlluar kryesisht nga ana e majtë e makinës, pasi mjeti është parkuar rrëzë pallatit. Vrasësi ka zbrazur plot 23 plumba, një pjesë e madhe mbi trupin e Boranit dhe gruas së tij.
Policia ka shoqëruar rreth 30 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen ose që e kanë njohur çiftin për të mbërritur tek motivet e më pas autorët e ekzekutimit.
Boran Bërçana ish-efektiv policie mësohet gjithashtu se ka qenë në Spanjë, nga ku ishte kthyer rreth 8 muaj më parë. 30-vjeçari kishte punuar si efektiv në Policinë e Shkodrës, më pas te forcat “Shqiponja”, ndërsa për pak kohë kishte shërbyer edhe në Pukë.Paraprakisht dyshohet se vrasja mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës kur Bërçama shërbente në Policinë e Shtetit.