Nga Besnik Dushaj
Të dashur vëllezër dhe motra!. Të nderuar klerikë! Të nderuar familjarë dhe të afërm të Dervish Luzhës! Të nderuar banorë të fshatit Luzhë! Të nderuar pjesëmarrës nga Kosova, apo nga rrethe të ndryshme të vendit! Dua së pari t'ju përshëndes përzemërsisht dhe t'ju uroj mirëseardhjen në këtë pelegrinazh madhështor, këtu në vendin e shenjtë të Dervish Luzhës dhe në 114 vjetorin e lindjes së tij, të këtij burri ndër më të shquarit në historinë e Tropojës.
Përmes historisë së mrekullive dhe bamirësisë, ai shërbeu për rreth 40 vjet nën presionin dhe kërcënimet e diktaturës së egër. Dervish Luzha mbeti e do të kujtohet ndër breza si asnjë klerik tjetër, që e ushtroi urdhrin e tij fetar pa u ndaluar, pa u frikësuar dhe fshehur asnjë ditë.
Ai u kthye në një institucion të besimit e lirisë dhe në një model të papërsëritshëm të tolerancës fetare në Tropojë e më gjerë. Diktatura e gjatë dhe e egër goditi çdo sferë të jetës dhe të karakterit njerëzor.
Në rrethin tonë, ashtu si në gjithë Shqipërinë u shkatërruan institucionet e kultit, përfunduan në burgje, madje edhe në plumb e në internime thuajse gjithë hoxhallarët, dervishët e fretnit.
Historia na ka mësuar se drejtuesit e feve në Malësinë e Gjakovës, si në gjithë Shqipërinë, luajtën një rol të jashtëzakonshëm në qëndresën e luftërat për liri, që nga koha e Lidhjes së Prizrenit, në kryengritjet e mëdha të Pavarësisë e më tej, duke pasë krahas fjalës së Zotit edhe idealin e madh të Atdheut, lirisë e flamurit. Dervish Luzha, ditëlindjen e të cilit po festojmë sot me madhështi, ishte shqiptar i madh, qëndrestar i papërkulur. Në kohën kur diktatura ishte në zenitin e saj e kur dukej se çdo gjë ishte nën thundrën e saj, Dervishi i Luzhës u kthye në institucion të gjallë, që me praninë dhe fjalën e tij mbajti të ndezur tek njerëzit e varfër e të shtypur, frymën e lirisë e të besimit te Zoti.
Ai ushqeu në mënyrën e tij dhe me trimëri të pashoqe besimin e shpresën, duke u kthyer në kundërshtarët më të rrezikshëm të regjimit gjakatar.
Emri, fjala dhe veprat e tij të mrekullive morën shpejt dhenë, populli e priste, e strehonte, e dëgjonte dhe e mbronte. Ai u bë prehë e aksioneve revolucionare, që synuan diskreditimin e personazheve të fesë, me fletë-rrufe, përçmime dhe damkosje, duke i kërkuar të hiqte dorë nga uniforma fetare, por kurrë nuk arritën që ta mposhtnin.
Dervish Luzha ishte pjesëmarrës i shquar i luftës antifashiste në brigadën e 25-të të Tropojës, ça konfirmon atdhetarizmin e tij, ai kurrë nuk e pranoi dhe nuk u pajtua me të keqen.
Revolucioni demokratik dhe rrëzimi i diktaturës në vitin 1990, u shoqërua së pari me kthimin e besimtarëve në vendet e shenjta. Dhe kur akoma njerëzit nuk kishin bukë e ushqim, vërshuan drejt Shkëlzenit, Buçajve dhe Luzhës, drejt rrënojave të xhamive e kishave. Ishte besimi te liria në përgjithësi dhe liria e besimit, që i bëri njerëzit të ëndërrojnë. Shumë shpejt u ndërtuan dy Tyrbet e bukura, ajo e Dervish Luzhës, ku jemi sot dhe e Rexhep Belit në kodrën e Boshnjakës. Duhet theksuar kontributi i veçantë i heroit të demokracisë, Azem Hajdari, për ndërtimin e Tyrbes së Dervish Luzhës. Të nderuar pjesëmarrës! Me mijëra e mijëra njerëz këto vite janë drejtuar te këto vende të shenjta, kanë bashkëbiseduar në heshtje me idhujt e tyre, kanë marrë energji pozitive dhe kanë zbatuar mrekullisht ëndrrën e tyre. Me këtë rast dua t'ju ftoj t'u bëjmë një homazh gjithë klerikëve të feve dhe sekteve të ndryshme, që dhanë jetën për lirinë dhe fjalën e Zotit, që u shkatërruan në burgje, apo vuajtën në kampet e përqendrimit.
Vëllezër e motra! Unë e di që shumica prej jush kanë vizituar këto vende të shenjta dhe keni biseduar në heshtje me këto drita të përjetshme, siç i konsiderojnë besimtarët Dervishin e Luzhës dhe Rexhep Belin.
Dhe jam i sigurt se keni marrë më shumë forca për punët tuaja, për të mirën e familjeve tuaja, por dhe për të mirën e Tropojës dhe të vendit, në mënyrë që të gjithë së bashku të punojmë ditë e natë që ëndrra e burrave dhe klerikëve të mëdhenj për zhvillimin e Tropojës të jetë një realitet sa më i shpejtë dhe sa më i bukur. Duke përfunduar dua që të falënderoj biznesmenin e shquar z.Rrustem Gecaj, që mundësoi punimet në këtë shesh para Tyrbes ku jemi sot.
Nder përjetë Dervish Luzhës dhe veprës së tij të ndritur!
Ju ndihmoftë Dervish Luzha ju, familjet tuaja dhe gjithë Tropojën! Faleminderit!
Fjala e kryetarit te bashkisë Tropojë në Luzhë - 15 korrik 2018