Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës janë vazhdimisht në rritje, edhe pse zënë ende një pjesë shumë të vogël të tregtisë së jashtme për secilin shtet.
Për Shqipërinë, volumi total i shkëmbimeve me vendin fqinj arriti në gjashtëmujorin e parë të vitit në 15 miliardë lekë, ose vetëm 3.2% e shkëmbimeve gjithsej. Ndërkohë për Kosovën, eksportet drejt Shqipërisë përbëjnë mbi 16% të eksporteve totale duke e renditur Shqipërinë të parën, ndërsa importet zënë më pak se 6% të totalit.
Në bilancin tregtar, Shqipëria është dukshëm në avantazh, pasi eksportoi 11.1 mld lekë mallra dhe importoi vetëm 3.8 mld lekë në vlerë mallrash nga Kosova. Kjo shënon një suficit tregtar në favor të vendit me rreth 7.3 miliardë lekë, duke u rritur me 1.1 mld lekë në raport me gjysmën e parë të vitit të kaluar.
Arsyeja e rritjes së deficitit i atribuohet ekskluzivisht rritjes me 52% të vlerës së metaleve dhe materialeve të ndërtimit të eksportuara. Në këto gjashtë muaj Kosova importoi 5.8 mld lekë vlerë nga kjo kategori mallrash, ose mbi 1/5 e të gjithë eksporteve shqiptare të metaleve dhe materialeve të ndërtimit.
Por, sa i përket grupmallrave të tjera, me përjashtim të makinerive dhe prodhimeve prej druri e letre, Kosova ka importuar më pak nga Shqipëria krahasuar me vitin e kaluar. Ndjeshëm ka rënë importi i mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike (-850 mln lekë), por edhe importet e ushqimeve, pijeve e duhanit.