Lindita Nikolla t’i kërkojë falje armatës së mësuesve për gënjeshtrën e rritjes së pagave 

Diel, 05 August 2018 18:41

Nga  Ilirian  Demiri

Tashmë është shuar çdo shpresë  e mësuesve se,  premtimi i kryeministrit dhe i Ministres së Arsimit për rritje pagash  do të marrë jetë në korrik. Ishte një premtim i përsëritur në  çdo takim të  kryeministrit dhe Ministres së Arsimit  me mësuesit në fundvitin  e  kaluar. Mësuesit  pritën më kot  që pagën e muajit korrik ta merrnin me rritje.  Të gjitha premtimet e bëra fundvitin e kaluar ishin fshirë nga memoria e  drejtuesve  të lartë shtetërorë, ishin harruar, ndërsa po përgatiten t’i artikulojnë në ligjëratë të drejtë me fundvitin e kaluar, si një prej premtimeve të reja në prag të fushatës së zgjedhjeve. Është më shumë se e çuditshme që premtimi i përsëritur me dhjetëra herë  nga Kryeministri dhe Ministrja e Arsimit se, paga e mësuesve do të rritet me 40 për qind  gjatë mandatit të dytë të  Rilindësve  do të nisë të marrë jetë që  gjatë vitit 2018. “Shtesa do të nisë që prej vitit 2018, një gjë e  tillë është parashikuar  edhe në buxhetin e vitit  2018”,- theksonte Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla në të gjitha takimet me mësuesit në fundvitin e kaluar.  Aq shumë e artikuluan bashkë me kryeministrin këtë premtim, sa bënë  që familjet e mësuesve  t’i nisnin që në fillim të vitit llogaritë t’i kryenin me pagën e rritur.

Po nga e thëna në të bërë, është një largësi shumë e madhe për  klasën albaneze politike, që është mësuar vetëm të  gënjejë. Hyri dhe  doli korriku  dhe drejtorët e shkollave dërguan listëprezencën në Drejtoritë rajonale të arsimit, ku iu bë e ditur se, “nuk I ka shkuar kujt ndërmend t’i rrisë pagat e mësuesve”. Mësuesit vetëm tani e kuptuan se Kryeministri dhe  Ministrja e tyre vetëm I kishin gënjyer, ata fund vit, kur ua përsërisnin 24 herë në ditë premtimin për  rritjen e pagës.  Me të qeshur, në këto ditë pushimesh, ata iu drejtuan mësuesve: “Për rritje page, as mos t’u shkojë  mendja  për këtë vit. Ndoshta për vitin tjetër, pasi janë edhe zgjedhjet dhe votat tuaja o mësues na duhen  shumë”.

Me hir, a me pahir, tashmë gjithë armata e mësuesve prej  25 mijë mësuesish i është nënshtruar fatit. Ajo nuk di të protestojë, nuk di të ulërasë për  nivelin e lartë të mashtrimit, nuk di t’i dalë zot vetes, edhe kur  pa e pyetur njeri ia fusin dorën në pagë dhe ia zhvatin disa qindra lekë  për  pseudo sindikatat që heshtin, bile duartrokasin kur mësuesit poshtërohen.

Tashmë mësuesit e dinë mirë, se çfarë ka ndodhur nuk zhbëhet. I janë bindur fatit, ndonëse po I kalojnë këto ditë pushimet me shumë frikë se, çfarë do të kullandrisin deri në fillim të shtatorit, mashtruesit ekzemplarë të Ministrisë së Arsimit.  Gjithsesi, nëse ia ka qejfi, Ministres të mos bëjë  përgënjeshtrime groteske si deri tani, po ka ardhur koha  që  t’u tregojë açik të vërtetën mësuesve për mashtrimin e rritjes së pagave. Pse nuk pati rritje page  pas korrikut ? Në fund të fundit, pse u mashtruan kaq trashë në prag  të festës së fundvitit?. Ndoshta, një ndjesë do të ishte fillimi i një rruge të re drejt mbarësisë, pas afro 30 viteve që kjo klasë politike ka ushqyer vetëm varfërinë për shumicën e shqiptarëve. Ndërsa e ka shkatërruar tërësisht sistemin e arsimit.

Kjo  klasë politike, ky kryeministër, kjo Ministre e Arsimit duhet ta dinë mirë  se, edhe pse armata e mësuesve hesht e nënshtruar  dhe e kthyer tamam në epokën e skllavërisë, nuk mashtrohet lehtë. Ajo hesht edhe pse e di se po poshtërohet në mënyrën më të paturpshme nga lloj-lloj zabërhanësh. Hesht se i trembet se mund të mbetet pa atë pagë të vogël me të cilën mban fëmijët. Po e sheh mirë se çfarë po bëhet rrotull saj.  Armata e mësuesve tashmë e di mirë se këta farë politikanësh, pagën e mësuesve nuk e kanë në listë. Edhe në mandatin e parë rilindësit  mësuesit ia rritën pagën vetëm kur erdhën zgjedhjet. Mësuesit e dinë mirë: nuk ishte rritje page, po vetëm  mbulim i inflacionit të katër viteve së bashku. Të gjithë e dimë, inflacioni duhet mbuluar çdo vit.  Po Rilindasit ia kanë marrë dorën  t’i poshtërojnë mësuesit. Pra, ta dini mirë: as në mandatin e parë nuk na e keni rritur pagën o rilindas. Këtë e dimë mirë ne mësuesit, e dinë mirë  gjithë shqiptarët.

Kjo klasë  politike e mësuar të mbushë vetëm xhepin e saj, nuk ia ka idenë se ç’bëhet jashtë familjes së saj.  Duke qenë se mësuesi do, apo s’do ajo, përgatit të ardhmen e këtij vendi, po I kujtojmë kësaj me nder klase politike thënien e një kryeministri Japonez, kur e pyetën  për sekretet e zhvillimit teknologjik të vendit të tij. Ai thjesht  e qartë iu përgjigj miqve: “Mësuesit ia dhamë  rrogën e Ministrit, imunitetin  e diplomatit  dhe autoritetin e Perandorit”.  Po kjo ndodh në Japoni, se në Shqipëri  me mësuesin tallet kujt i çohet me ndera. Mësuesin nuk e ka kush në listë sot !

Arsimi është zhytur  në një gropë llumi sa është vështirë se mund ta nxjerre kush prej andej. Kjo klasë politike, arsimin e sheh  si sektorin ku mund të lajë me lehtë m….tin me sh….rrë. Për këtë i shërben arsimi kësaj klase politike. Ndaj dhe ka mbetur duke notuar nga njëra reformë në tjetrën. Sepse është thjesht  vrima e fundit e kavallit, në këtë Shqipëri  që askush nuk e di mirë se nga fillon vrima e parë dhe ku përfundon vrima e fundit e kavallit, arsimi në këtë Shqipëri me plot halle.

Gënjeshtra  për rritjen e pagës  është vetëm fillimi i shumë tregimeve  të mësuesve se si ata mashtrohen e poshtërohen nga lloj lloj birbosh të  Ministrisë së Arsimit. 

Login to post comments

Lajmet e fundit

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

Globi

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

    Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams është paditur për të paktën një akuzë penale dhe është vënë nën hetim federal. Adams do t'i dorëzohet autoriteteve në fillim të javës së ardhshme...

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

Politikë

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

    I ftuar në edicionin e pasdites në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca për të folur për shpërqëndrimin që po i bën Rama shqiptarëve me 'Shtetin Bektashi', mes skandaleve që...

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Politikë

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Nga Xhuljan Guçe: Në një deklaratë të fundit, drejtuesi i Partisë Socialiste në Korçë, z. Niko Peleshi, njoftoi se partia e tij synon të sigurojë 6 mandate në këtë qark, duke...