Autoritetet që po merren me zbardhjen e sulmit ndaj shtëpisë së gazetares investigative Klodiana Lalës po hasin vështirësi në zbulimin e autorëve. Burime nga grupi hetimor thonë se ngjarja ka ndodhur në një zonë të “varfër” sa i përket elementëve të sigurisë.
Ndërsa janë kontrolluar disa kamera sigurie, sipas hetuesve ende nuk është përfituar ndonjë e dhënë konkrete mbi autorin që qëlloi me breshëri automatiku në orët e para të së enjtes. Po ashtu ngjarja ka ndodhur në një orë të vonë duke mos lënë pas dëshmitarë. Policia thotë zyrtarisht se ka kryer edhe disa veprime të tjera shtesë, me metoda speciale të hetimit por pa dhënë detaje.
Ndërkohë nga ana tjetër vetë gazetarja Lala në deklarimet e dhëna si në polici ashtu edhe prokurori ka pohuar se dyshon se sulmi ka ardhur për shkak të detyrës së saj pasi as ajo dhe as familjarë të saj, nuk kanë asnjë konflikt të hapur me asnjë person.
Banesa e Arif Lalës, babait të gazetares, e cila ra pre e sulmit më armë ndodhet në zonën e Laknasit që mbulohet nga komisariati i Vorës por në hetime është përfshirë edhe komisariati nr. 5, si dhe agjentët më të mirë të krimeve kundër jetës në policinë e Tiranës.